Gjatë 24 orëve të fundit, policia në të gjithë territorin e vendit ka privuar nga liria 11 shoferë për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “drejtim i pakujdesshëm i automjetit”, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.
Nga 11 shoferët e ndaluar, tetë kanë drejtuar automjetet pa patentë shoferi, ndërsa njëri prej tyre ka qenë i mitur.
Dy shoferë janë kapur duke drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit, ndërsa njëri prej tyre ka shkaktuar edhe një aksident trafiku. Një tjetër shofer ka drejtuar automjetin pavarësisht se ndaj tij kishte masë aktive ndalimi për drejtimin e automjetit.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se pas dokumentimit të plotë të rasteve do të ngriten kallëzime përkatëse penale.
Ministria u bën apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të mos drejtojnë automjete pa patentë, nën ndikimin e alkoolit apo gjatë kohës kur kanë ndalesë për drejtim.






