Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se konflikti me Iranin mund të zgjasë edhe dy deri në tri javë, duke vlerësuar se Shtetet e Bashkuara tashmë kanë fituar.
Në një intervistë telefonike për “CBS News” pasditen e djeshme, Trump refuzoi të thoshte nëse armëpushimi me Iranin ka përfunduar pasi Irani sulmoi Emiratet e Bashkuara Arabe, por la të kuptohet se lufta mund të vazhdojë edhe për dy ose tri javë të tjera.
“Epo, këtë nuk mund t’ua them”, tha Trump kur u pyet nëse armëpushimi ka marrë fund.
I pyetur nëse armiqësitë e fundit nënkuptojnë fillimin e një konflikti të ri me Iranin, Trump tha se në një mënyrë ose në një tjetër, SHBA-të po fitojnë.
“Ose do të arrijmë një marrëveshje të vërtetë, ose do të fitojmë shumë lehtë. Nga pikëpamja ushtarake, ne tashmë kemi fituar. E dini, më keni dëgjuar ta them këtë një milion herë, e thonë edhe të tjerët. Ata kishin 159 anije, tani nuk kanë asnjë. Të gjitha janë në fund të detit”, tha Trump. Ai nuk deshi të konfirmonte nëse Irani e ka shkelur ndërprerjen e zjarrit, duke thënë se do të shihet se çfarë do të ndodhë, por theksoi kapacitetet ushtarake të SHBA-së.
Ai tha se konflikti ndoshta mund të zgjasë edhe dy javë ose ndoshta tri javë, duke nënvizuar se nuk është nën presionin e kohës. “Koha nuk është vendimtare për ne”, tha ai, duke pretenduar se lufta ka një mbështetje të konsiderueshme publike.
Ai gjithashtu deklaroi se SHBA-të kanë kontroll mbi Ngushticën e Hormuzit gjatë operacionit “Projekti Liria” (Project Freedom).
“Ata thanë se do të merrnin Ngushticën e Hormuzit dhe ne menduam se mund ta bënin. Ne ua morëm atyre”, tha Trump.(INA)





