3.8 C
Skopje
Saturday, December 14, 2024

Trump thirrje për debat të menjëhershëm me presidentin Biden

Ish-presidenti Donald Trump, i cili ka refuzuar të dalë në debat me kandidatët e tjerë republikanë për president, tha të hënën se do të donte të përballej menjeherë në një debat me presidentin Joe Biden.

“Do të doja të debatoja me të tani, sepse duhet të përballemi në debat. Duhet të debatojmë për të mirën e vendit,” tha zoti Trump në një emision në radio drejtuar nga analisti konservator Dan Bongino.

I pyetur nga gazetarët gjatë një vizite në Las Vegas të hënën në lidhje me ftesën e ish-presidentit Trump për debat, demokrati Biden u përgjigj: Po të isha në vend të tij, edhe do të doja debat. Ai nuk ka gjë tjetër për të bërë.

Edhe pse kryeson në garën mes republikanëve për të sfiduar zotin Biden në zgjedhjet e 5 nëntorit, zoti Trump ende nuk e ka siguruar emërimin e partisë së tij dhe ka refuzuar ftesën e rivales së tij republikane Nikki Haley për debat.

Në përgjigje të komenteve të zotit Trump, fushata e zonjës Haley tha me anë të një deklarate se ai “ka frikë” të përballet me të.

“Tani është koha që (ish-presidenti) Trump të gjejë guximin dhe të pranojë të debatojë me Nikki Haley-n. Nikki është e gatshme të paraqesë arritjet e saj dhe vizionin për një Amerikë të fortë dhe krenare kundër fushatës së të kaosit dhe hakmarrjes së (ish-presidentit) Trump,” tha zëdhënësja e fushatës së zonjës Haley, Olivia Perez-Cubas.

Komentet e zotit Trump pasqyrojnë një dëshirë për t’u përqendruar tek një përballje e mundshme zgjedhore me zotin Biden, i cili të shtunën fitoi zgjedhjet paraprake të Partisë Demokrate në Karolinën e Jugut dhe pritet të fitojë emërimin e partisë së tij.

Zonja Haley, ish-guvernatore e Karolinës së Jugut dhe ish-ambasadore e Kombeve të Bashkuara gjatë administratës së zotit Trump, është prapa tij e në sondazhet e opinionit publik, por është zotuar se do të vazhdojë ta sfidojë atë.

Ish-presidenti Trump dhe presidenti Biden debatuan dy herë gjatë garës për zgjedhjet e vitit 2020. Një debat i tretë u anulua pasi zoti Trump u prek nga COVID-19 dhe nuk pranoi të merrte pjesë në një debat virtual. Tradicionalisht para zgjedhjeve në SHBA mbahen tre debate presidenciale. /VOA

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lajmet e fundit