6.8 C
Skopje
Saturday, November 15, 2025

Trump konfirmon se do të padisë BBC-në

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka konfirmuar se do të padisë transmetuesin publik britanik BBC për një dëmshpërblim që varion nga 1 deri në 5 miliardë dollarë, për mënyrën se si është montuar fjalimi i tij në programin Panorama.

Do t’i padisim për një deri në pesë miliardë dollarë, ndoshta javën tjetër”, u tha Trump gazetarëve në bord të Air Force One.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë theksoi se hapja e padisë ishte e domosdoshme.

“Duhet ta bëjmë. Ata madje pranuan se mashtruan. Jo se nuk mund ta kishin bërë, ata mashtruan. Ata ndryshuan fjalët që dolën nga goja ime”, theksoi Trump.

Ai gjithashtu tregoi se çështjen do ta diskutonte me kryeministrin britanik Keir Starmer gjatë fundjavës, duke shtuar se “populli i Mbretërisë së Bashkuar është shumë i zemëruar për atë që ka ndodhur”.

BBC i kërkoi zyrtarisht falje presidentit amerikan të enjten për një “gabim në gjykim”, por deklaroi se “nuk pajtohet që ka bazë për një pretendim për shpifje”.

Më herët këtë javë, avokatët e Trump kërcënuan se do të padisin BBC-në për 1 miliard dollarë nëse kjo e fundit nuk kërkon falje, nuk tërheq videon dhe nuk paguan dëmshpërblim.

Megjithatë, ekspertët ligjorë besojnë se Trump mund të përballet me sfida për ta çuar çështjen para gjykatave në Mbretërinë e Bashkuar ose në SHBA.

Afati i fundit për të ngritur padi në gjykatat britanike, ku dëmshpërblimet për shpifje rrallë kalojnë 100,000 £ (rreth 132,000 dollarë) ka kaluar tashmë, pasi dokumentari u transmetua në tetor 2024, më shumë se një vit më parë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit