Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka rikthyer tonet e ashpra ndaj Iranit, duke paralajmëruar masa të forta ushtarake nëse nuk arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit.
Në një reagim të publikuar në platformën Truth Social, Trump kërcënoi drejtpërdrejt se SHBA mund të “rrëzojë termocentralet dhe urat e Iranit”, në rast se Teherani vijon me qëndrimin aktual.
Deklarata vjen pas përshkallëzimit të situatës në Ngushtica e Hormuzit, ku autoritetet iraniane ndërmorën veprime që çuan në bllokimin e përkohshëm të kalimit detar, duke përfshirë edhe sulme ndaj disa anijeve.
Në postimin e tij, Trump thekson se Shtetet e Bashkuara “nuk humbasin asgjë” nga një situatë e tillë, ndërsa sipas tij, Irani po përballet me humbje të mëdha financiare, që arrijnë në miliona dollarë.
Pak ditë më parë, presidenti amerikan kishte deklaruar se Irani ishte zotuar të mos e mbyllte më këtë rrugë strategjike, një nga më të rëndësishmet për transportin global të naftës. Megjithatë, zhvillimet e fundit duket se kanë vënë në pikëpyetje këtë pretendim.
Tensionet mes dy vendeve vijojnë të mbeten të larta, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim situatën në rajon, për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë në sigurinë globale dhe tregjet energjetike./TCH



