Zëvendëspresidenti amerikan J. D. Vance mbrëmë la të kuptohet se miratimi nga presidenti Donald Trump i një marrëveshjeje të mundshme me Iran është ende larg të qenit i sigurt, mes raportimeve mediatike se negociatorët amerikanë dhe iranianë kanë arritur një marrëveshje paraprake për kornizën e përfundimit të konfliktit, raportoi DPA.
Vance deklaroi para gazetarëve në bazën e përbashkët “Andrews” se negociatorët “kanë bërë përparim të madh”, por disa pika, përfshirë kufizimet e mundshme ndaj programit bërthamor iranian, ende po diskutohen.
“Po bisedojmë me ta. Mendojmë se ata po negociojnë, të paktën deri tani, me mirëbesim dhe se po arrijmë njëfarë përparimi”, tha Vance, duke shtuar se nuk është e sigurt nëse Trump do të nënshkruajë marrëveshjen e mundshme.
“Mendoj se është vështirë të thuhet saktësisht kur ose nëse presidenti do ta nënshkruajë Memorandumin e Mirëkuptimit”, tha Vance.
“Shpresojmë të vazhdojmë të ecim përpara dhe që presidenti të jetë në pozitë për ta mbështetur marrëveshjen, por kjo mbetet për t’u parë”, shtoi ai.
Më herët gjatë ditës së djeshme, “Axios” raportoi se negociatorët amerikanë dhe iranianë kanë arritur një marrëveshje kornizë, me të cilën do të vazhdohej armëpushimi dhe do të nisnin negociatat për programin bërthamor të Iranit. Sipas raportimeve, për këtë është paraparë një periudhë prej 60 ditësh.





