Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka përkujtuar akademikun dhe gjuhëtarin e njohur Bahri Beci, në trevjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
Bahri Beci u nda nga jeta më 20 gusht 2023, në moshën 87-vjeçare. I lindur në Shkodër në vitin 1936, ai ia kushtoi veprimtarinë e tij shkencore studimit të gjuhës shqipe, veçanërisht dialektologjisë dhe fonetikës.
Pas përfundimit të studimeve universitare në vitin 1958, Beci nisi punën si kërkues shkencor në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë. Gjatë karrierës së tij ai mbajti disa detyra drejtuese, përfshirë përgjegjësin e sektorit, drejtuesin e projekteve, sekretarin shkencor dhe drejtorin e institucionit, përcjell KultPlus.
Në kuadër të specializimit të tij shkencor, ai qëndroi në Paris, ku mbrojti doktoratën me studimin mbi sistemin zanor dhe bashkëtingëllor të së folmes së qytetit të Shkodrës. Më pas, ai zhvilloi studime të rëndësishme mbi të folmet e gegërishtes qendrore dhe të folmet veriperëndimore të shqipes.
Fusha kryesore e kërkimeve të tij ishte historia e dialekteve dhe nëndialekteve të shqipes, me vëmendje të veçantë ndaj të folmeve të Shkodrës dhe Dibrës. Ai dha gjithashtu kontribute në studimet ballkanologjike dhe në çështjet që lidhen me pozitën e shqipes në lidhjen gjuhësore ballkanike.
Bahri Beci ishte anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që nga viti 2008, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar i redaksisë së Atlas Linguarum Europae.
Ai ishte gjithashtu delegat dhe nënshkrues i Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972 dhe autor i studimeve monografike mbi proceset njësuese në formimin e shqipes letrare.
Me veprimtarinë e tij shumëvjeçare, Bahri Beci mbetet një prej figurave të rëndësishme të gjuhësisë shqiptare bashkëkohore, ndërsa studimet e tij vazhdojnë të kenë rëndësi për njohjen e dialekteve, fonetikës dhe zhvillimit të gjuhës shqipe./KultPlus.com






