Presidenti amerikan, Donald Tramp, kërkon që Irani ta japë një përgjigje të unifikuar ndaj propozimeve të Shteteve të Bashkuara për përfundimin e luftës dhe ai nuk ka vendosur ndonjë “afat të prerë” tani për tani, tha Shtëpia e Bardhë. Tramp e zgjati njëanshëm armëpushimin me Iranin, i cili skadonte të mërkurën. Presidenti amerikan po i ofron pak fleksibilitet regjimit iranian, u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë. Ajo pohoi se ka “shumë përçarje të brendshme” në Teheran. Leavit shtoi se trysnia ekonomike dhe bllokada detare e SHBA-së mbeten në fuqi. Ndërkohë, Irani e akuzon SHBA-në për shkelje të armëpushimit përmes bllokadës detare. Kryetari i Parlamentit iranian në një postim në X tha se rihapja e Ngushticës së Hormuzit është e pamundur me një shkelje kaq flagrante të armëpushimit. Irani e ka mbyllur praktikisht këtë ngushticë, e cila shërben si rrugë për rreth një të pestën e furnizimit global me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm, menjëherë pas fillimit të luftës.
“Presidenti dëshiron një përgjigje të unifikuar. Ndërsa e presim këtë përgjigje, ekziston një armëpushim. Por operacioni vazhdon, dhe gjithashtu vazhdon edhe bllokada detare efektive dhe e suksesshme e anijeve dhe mjeteve që lëvizin drejt dhe nga portet iraniane. Ne po e ngulfasim plotësisht ekonominë e tyre përmes kësaj bllokade. Ata po humbasin 500 milionë dollarë në ditë. Ata nuk mund të lëvizin naftë brenda dhe jashtë. Nuk mund të paguajnë as popullin e tyre si rezultat i këtij presioni ekonomik që Presidenti Tramp ka ushtruar mbi ta. Pra, ai është i kënaqur me këtë ndërsa presim përgjigjen e tyre dhe do të shohim. Presidenti nuk ka vendosur një afat të prerë për të marrë një propozim nga Irani. Në fund të fundit, afati do të përcaktohet nga komandanti i përgjithshëm dhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara,” tha Karoline Leavit, Zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë. /Alsat.mk



