Aksioni “Forcimi i veprimit kundër trafikimit në Maqedoninë e Veriut” mbështet autoritetet publike në përpjekjet për parandalimin dhe luftimin e trafikimit të fëmijëve duke ofruar aktivitete për ngritjen e kapaciteteve për palët e interesuara kundër trafikimit, duke mbështetur hulumtime dhe raporte mbi këtë temë dhe duke punuar me përfitues të tjerë për të përmirësuar aksesin në ndihmë juridike për fëmijët viktima. Aksioni është pjesë e iniciativës së bashkëpunimit të Bashkimit Evropian/Këshillit të Evropës “Iniciativa Horizontale III për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”.
Kujtojmë se Departamenti Amerikan i Shtetit në Raportin për Trafikimin e Njerëzve 2024, tregoi se trafikantët e seksit rekrutojnë viktima të huajazakonisht nga Evropa Lindore dhe Ballkani, duke përfshirë Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën, Moldavinë, Rumaninë, Rusinë, Serbinë dhe Ukrainën. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe viktimat e huaja që kalojnë tranzit nga Maqedonia e Veriut shfrytëzohen për trafikim seksual dhe punë të detyruar në sektorët e ndërtimit dhe bujqësisë në Evropën Jugore, Qendrore dhe Perëndimore. Trafikantët, të cilët shpesh janë të afërm ose miq të ngushtë,shfrytëzojnë fëmijët romë nëpërmjet lypjes së detyruar dhe trafikimit seksual brenda martesave të detyruara.