Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski sot mori pjesë në shfaqjen interaktive të kukullave që u mbajt në Qendrën Kulturore “Biljana Beliçanec” në komunën e Kisella Vodës, të organizuar nga Këshilli Republikan për sigurinë në komunikacionin rrugor dhe teatri “Provokacija”, si pjesë e fushatës “Të mbrojmë fëmijët në trafik”.
Shfaqja, siç kumtoi MPB-ja, e dedikuar për nxënësit e shkollave fillore të komunës, u mundësoi fëmijëve të mësojnë rreth rregullave themelore për sjellje të sigurt në trafik, rrugës së sigurt për në shkollë dhe nga shkolla, si dhe rëndësisë së kujdesit dhe përgjegjësisë në rolin e këmbësorëve dhe çiklistëve përmes një qasje interaktive dhe edukative.
Ministri Toshkovski theksoi se edukimi i më të rinjve është një nga segmentet më të rëndësishme në ndërtimin e një kulture trafiku dhe në mbrojtjen e jetëve njerëzore.

“Siguria e fëmijëve është prioriteti ynë kryesor. Përmes aktiviteteve të këtilla, të cilat janë të afërta dhe të kuptueshme për fëmijët, krijojmë breza që do të respektojnë rregullat e trafikut dhe do të kontribuojnë për rrugë më të sigurta. Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë të mbështesë në mënyrë aktive dhe të marrë pjesë në të gjitha projektet që synojnë ngritjen e vetëdijes për sigurinë në trafik”, theksoi ministri Toshkovski.
Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë edhe në të ardhmen me aktivitete dhe fushata që synojnë edukimin e fëmijëve dhe të rinjve si një nga kategoritë më të rrezikuara të pjesëmarrësve në trafik, me qëllim krijimin e një mjedisi më të sigurt në trafik për të gjithë qytetarët.



