Shkup, 26 gusht, Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot u drejtua në Forumin e shefave të policive kufitare nga Ballkani Perëndimor, i cili në kuadër të Procesit të Berlinit mbahet më 26 dhe 27 gusht në Shkup, me pjesëmarrje të përfaqësuesve nga rajoni, vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Mbretëria e Bashkuar, Organizata Ndërkombëtare për Migracion (IOM), si dhe partnerë evropianë, rajonalë dhe ndërkombëtarë.
Në fjalimin e tij, ministri Toshkovski theksoi se migracioni mbetet një nga çështjet kyçe të kohës moderne, ku Ballkani Perëndimor njëkohësisht paraqet rajon tranzit dhe partner të rëndësishëm në përgjigjen kolektive evropiane ndaj sfidave migratore dhe të sigurisë.
„Presionet nga rrjedhat migratore të parregullta, shfrytëzimi i kategorive të cenueshme nga rrjetet kriminale dhe ngarkesa mbi institucionet nuk janë sfida të kufizuara në një kufi, një vend apo një rajon. Ato janë evropiane dhe globale. Nëse me të vërtetë duam të ndërtojmë hapësirë të përbashkët evropiane të sigurisë dhe besimit, duhet t’i tejkalojmë deklaratat dhe të kalojmë drejt mekanizmave konkretë të bashkëpunimit“, potencoi Toshkovski.
Duke u ndalur në rëndësinë e Procesit të Berlinit, ministri theksoi se ai nuk paraqet shkurtore drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por rrugë kredibile përmes së cilës vendet e Ballkanit Perëndimor e demonstrojnë gatishmërinë, përgjegjësinë dhe përshtatjen me standardet evropiane. Bashkëpunimi efikas në fushën e migracionit dhe sigurisë kufitare, siç theksoi, sjell përfitime konkrete si për rajonin ashtu edhe për vendet anëtare të BE‑së.
„Siguria evropiane nuk përfundon në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian. Ajo ndërtohet përmes partnerëve të qëndrueshëm dhe të sigurt, përmes politikave të përbashkëta dhe përmes aftësisë së të gjithëve ne të kontribuojmë në përballimin e sfidave që e prekin Evropën si tërësi. Procesi i Berlinit nuk është vetëm përgatitje e Ballkanit Perëndimor për Evropën – por platformë që vetë Evropa të bëhet më e sigurt dhe më rezistente“, theksoi Toshkovski.
Ministri shprehu kënaqësi që Maqedonia është nikoqire e Forumit dhe shprehu falënderim ndaj Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe Misionit të IOM për mbështetjen në organizim dhe përkushtimin ndaj procesit eurointegrues të rajonit.
Në fund, Toshkovski porositi se Forumi duhet të shfrytëzohet jo vetëm për shkëmbim të përvojave, por edhe për përcaktimin e prioriteteve të përbashkëta dhe thellimin e bashkëpunimit, me vizion për një Evropë në të cilën Ballkani Perëndimor është pjesë aktive dhe përgjegjëse e sigurisë, stabilitetit dhe së ardhmes së saj. përcjell Zhurnal.mk .






