Toshkovski: Hapje e hapësirave të reja për biseda me fëmijë në SPB Strumicë

Advertisement

Shkup, 02 korrik – Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot mori pjesë dhe mbajti fjalim në inaugurimin e hapësirave të reja të rregulluara për biseda me fëmijë në Sektorin për Punë të Brendshme Strumicë, aktivitet që realizohet në kuadër të projektit “Mbështetja suedeze për reformat policore në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.

Në ngjarje ishin të pranishëm ambasadori i Mbretërisë së Suedisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Ola Solstrom, shefi i Misionit të OSBE‑së në Shkup, ambasadori Kilian Wahl, drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe ekipeve të projektit.

Në fjalimin e tij, Toshkovski theksoi se hapja e këtyre hapësirave paraqet një hap të rëndësishëm në avancimin e sistemit të drejtësisë për fëmijë dhe vendosjen e standardeve më të larta në trajtimin e fëmijëve që vijnë në kontakt me institucionet.

“Me hapjen e këtyre hapësirave nuk krijojmë vetëm një ambient funksional të ri, por vendosim një standard më të lartë në trajtimin e fëmijëve. Së bashku me kapacitetet tashmë të vendosura në SVR Bitola dhe hapësirat e planifikuara në SVR Tetovë dhe SVR Shkup, po ndërtojmë një sistem që do të sigurojë trajtim të barabartë, profesional dhe dinjitoz për çdo fëmijë në të gjithë territorin e shtetit”, theksoi ministri Toshkovski.

Ai nënvizoi se hapësirat e reja do t’u mundësojnë zyrtarëve policorë dhe profesionistëve të veprojnë në një ambient të përshtatur me moshën, nevojat psikologjike dhe emocionale të fëmijëve, gjë që është veçanërisht e rëndësishme në rastet e dhunës familjare dhe dhunës me bazë gjinore, ku një ambient i sigurt dhe i besueshëm është parakusht për mbrojtje të menjëhershme dhe veprim efikas institucional.

Ministri theksoi se cilësia e një institucioni matet edhe sipas mënyrës se si kujdeset për kategoritë më të cenueshme të qytetarëve, duke nënvizuar se çdo fëmijë, pavarësisht nëse është viktimë, dëshmitar apo person në konflikt me ligjin, meriton trajtim dinjitoz, mbrojtje të plotë të të drejtave të tij dhe qasje profesionale që do të parandalojë viktimizimin sekondar.

Njëkohësisht, Toshkovski shprehu falënderim ndaj Ambasadës së Mbretërisë së Suedisë, Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar dhe Misionit të OSBE‑së në Shkup për mbështetjen e tyre shumëvjeçare në forcimin e kapaciteteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe avancimin e reformave policore. përcjell Zhurnal.mk .

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit