Tornado godet jugperëndimin e Francës, raportohet për disa të plagosur

Advertisement

Nuk ka qetësi për Francën, ku zjarret i kanë lënë vendin motit të keq. Një tornado ka goditur të hënën një fshat në jugperëndim të Francës, duke dëmtuar rreth 300 banesa dhe duke lënë rreth 40 persona të plagosur, raportojnë autoritetet lokale.

 

Zona më e prekur ishte Pomas, një qytezë me rreth 1,000 banorë në ultësirat e Pirenejve. Stuhia shkuli pemë dhe dëmtoi rëndë çatitë e banesave, ndërsa disa ndërtesa pësuan dëmtime të konsiderueshme.

Mes të plagosurve ishte edhe një grua shtatzënë, e cila u dërgua në spital pasi banesa e saj u shemb ndërsa ajo ndodhej brenda. Në total, rreth 15 persona u transportuan në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Më shumë se 120 zjarrfikës dhe pjesëtarë të shërbimeve të emergjencës u angazhuan në zonë për pastrimin dhe përballimin e pasojave të motit të keq. Për banorët që kanë mbetur pa banesa të sigurta janë ngritur edhe qendra emergjence.

Shërbimi meteorologjik francez, Météo-France, raportoi se në fshatin e afërt Arquettes-en-Val, stuhia solli erëra me shpejtësi deri në 117 km/orë.

Autoritetet franceze kishin lëshuar paralajmërime portokalli për stuhi në një pjesë të madhe të jugut dhe jugperëndimit të vendit. Moti i keq shkaktoi gjithashtu ndërprerje të energjisë elektrike dhe probleme të mëdha në transport.

Rreth 2,800 familje mbetën pa energji elektrike të hënën në mbrëmje. Rrugë të shumta u mbyllën për shkak të pemëve të rrëzuara, ndërsa trafiku hekurudhor u përball me vonesa.

Edhe aeroportet e Bordeaux, Marseille, Nice dhe Toulouse, si dhe aeroportet në Paris, raportuan vonesa dhe anulime fluturimesh.

Ndërkohë, stuhitë e forta dhe breshëri detyruan organizatorët të anulonin etapën e tretë të Vuelta a España, e cila ishte planifikuar të zhvillohej në departamentin Aude.

Autoritetet vijojnë vlerësimin e dëmeve, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë për rikthimin e normalitetit në zonat e prekura.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit