Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Tomovski, tha se institucionet kanë reaguar që në ditën e parë të krizës me ujin në Gostivar dhe se qytetarëve u është siguruar ujë i pijshëm në vazhdimësi.
Ai theksoi se për të gjithë procesin janë ndarë rreth 6 milionë denarë, ndërsa në Gostivar janë dërguar çdo ditë të paktën dy kamionë me ujë, në sasi prej rreth 70 tonësh ujë të pijshëm në ditë.
„Ajo që bëmë si Qeveri, që në fillim, ishte ndërhyrja e menjëhershme. Që nga dita e parë filluam të dërgojmë të paktën dy kamionë në ditë, rreth 70 tonë ujë të pijshëm“, tha Tomovski.
Ai shtoi se në disa raste janë siguruar edhe sasi më të mëdha, përfshirë edhe përmes donacioneve nga kompani të ndryshme.
Sipas Tomovskit, furnizimi me ujë ka qenë i mjaftueshëm dhe në ditët e fundit një pjesë e qytetarëve kishin siguruar edhe rezerva më të mëdha në shtëpitë e tyre.






