Një rast i rëndë mashtrimi është denoncuar në Policinë e Tetovës, ku një 38-vjeçar nga Kosova pretendon se është viktimë e një skeme manipulimi emocional dhe financiar.
Sipas të dhënave nga SPB Tetovë, më 2 maj 2026 rreth orës 12:00, ai ka raportuar se një grua me inicialet E.R., me banim në Tetovë, e ka vënë në lajthitje për një periudhë kohore, duke i thënë se ishte shtatzënë.
I bindur në këtë pretendim, 38-vjeçari ka kryer disa transferta të shpejta parash, duke i dërguar të dyshuarës një shumë totale prej rreth 18 mijë eurosh, për ta heshtur rastin.
Por pas kthimit të tij nga jashtë vendit, situata ka marrë një kthesë të papritur. Sipas denoncimit, e dyshuara i ka kumtuar se fëmija nuk ishte i tij dhe më pas ka ndërprerë çdo kontakt me të.
Autoritetet bëjnë të ditur se janë duke ndërmarrë veprime për zbardhjen e plotë të rastit dhe dokumentimin e elementeve të veprës penale.





