Në Tetovë sot u mbajt një marsh me rastin e “Tetorit rozë”, kushtuar ngritjes së vetëdijes për rëndësinë e parandalimit dhe zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit. Kryetari i komunës Bilall Kasami paralajmëroi se një program social në Komunën e Tetovës për vitin 2027 do të parashikohet një fond specifik për të mbështetur këtë çështje.
Marshimi filloi para ndërtesës së Komunës së Tetovës, nga ku Kasami, së bashku me punonjëset femra në administratën komunale dhe ndërmarrjet publike, u nisën nëpër rrugët e qytetit, duke shpërndarë fletëmesazhe informuese dhe duke dërguar mesazhe për ndërgjegjësim më të madh shëndetësor.
“Mbrojtja e shëndetit kërkon vëmendje të vazhdueshme, bashkëpunim institucional dhe përgjegjësi nga secili prej nesh. Shënimi i ‘Tetorit rozë’ është një mundësi për të theksuar rëndësinë e kontrolleve parandaluese dhe zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit. Marshi i sotëm në Tetovë i kushtohet ngritjes së vetëdijes publike dhe mbështetjes së grave që përballen me këtë sëmundje. Përmes pjesëmarrjes sonë, shpërndarjes së materialeve informuese dhe mesazheve që përcjellim, bëj thirrje për kujdes më të madh ndaj shëndetit dhe konsultim me kohë me mjekun”, theksoi Kasami në një deklaratë për mediat.
Ai potencoi se kjo ngjarje është shprehje e solidaritetit me gratë dhe familjet e tyre. Nevojat e tyre meritojnë vëmendje, mirëkuptim dhe mbështetje gjatë gjithë procesit të mjekimit, tha ai, duke shtuar se, si kryetar komune dhe si Komunë e Tetovës, mbështesin iniciativat për avancimin e shëndetit publik në kuadër të kompetencave të tyre.
“Komuna do të vazhdojë të mbështesë aktivitetet informuese dhe ato për ngritjen e vetëdijes publike, në bashkëpunim me institucionet dhe organizatat kompetente. Detyrimet familjare dhe profesionale nuk duhet të jenë arsye për shtyrjen e kontrolleve shëndetësore. Mbështetja nga familja dhe të afërmit është e rëndësishme që çdo grua t’i kushtojë vëmendjen e nevojshme shëndetit të saj, po aq e rëndësishme është edhe mbështetja gjatë përballjes me sëmundjen. Çdo grua meriton trejtim dinjitoz, respektim të privatësisë dhe mirëkuptim për vështirësitë nëpër të cilat kalon. Solidariteti dëshmohet përmes pranisë, ndihmës konkrete dhe kujdesit të vazhdueshëm”, theksoi Kasami.
Duke shënuar “Tetorin rozë”, Tetova dërgoi një mesazh për ndërgjegjësim më të madh, kontrolle shëndetësore në kohë dhe solidaritet me të gjitha gratë të cilat përballen me kancerin e gjirit.








