10.8 C
Skopje
Friday, November 7, 2025

Të rinjtë e lënduar në Koçan, ministri Aliu thotë se do të ndërtohet një Qendër për proteza

Të lënduarit në diskotekën “Puls” në Koçan kanë mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë. Në periudhën e ardhshme do të ndërtohet një Qendër për proteza në Shkup, ndërsa të rinjtë e lënduar që kanë nevojë për ndërhyrje dhe trajtime shtesë të cilat janë të shtrenjta, do të mbështeten nga shteti, tha sot ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu nga Shtipi i cili është përgjigjur në pyetjen nëse shteti do t’i financojë dhe mbështesë të lënduarit që po përballen me ndërhyrje të shtrenjta estetike.

“Jemi të vetëdijshëm se ka trajtime dhe procese që janë të shtrenjta dhe të kushtueshme, por ne si shtet jemi të detyruar t’i ofrojmë kujdes shëndetësor çdo qytetari. Unë personalisht isha në Koçan dhe tani ju them se për çdo proces që kërkon financim, ne do të dalim në ndihmë. Poashtu çdo proces që kërkon futjen e njohurive do të bëjmë trajnime të tilla dhe gjithashtu do të mbështesim çdo proces që kërkon mobilitetin e qytetarëve tanë jashtë vendit. Ky proces nuk do të përfundojë shpejt, këto janë procese afatgjata dhe do të na duhet një qasje afatgjate”, ka thënë Aliu.

Ministri i Shëndetësisë thotë se është bërë analizë nga ekspertë të vendit, por edhe nga ekspertë të përfshirë drejtpërdrejt ose indirekt në tragjedinë.

“Prandaj punojmë intensivisht dhe kam pasur disa takime me disa ambasada, në mënyrë që disa nga pacientët të mund të shkojnë jashtë vendit për trajtim dhe mjekim shtesë. Por edhe të krijojmë infrastrukturë brenda vendit. Për shembull, një nga këto është të gjenerojmë proteza. Ne nuk kemi një laborator të tillë. Realizova takim me njerëz nga Sllovenia dhe të shohim deri ku është procedura”, ka thënë Aliu.

Ai theksoi se janë krijuar grupe pune brenda Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë me qëllim krijimin e Strategjisë afatgjate në mënyrë siç thotë ai, të kenë një qasje infrastrukturore, njerëzore dhe profesionale ndaj qytetarëve të Koçanit. Ai është i kënaqur me ecurinë e rehabilitimit të të rinjve të lënduar në qendrën Ponikva ku thotë se e dëshmojnë edhe vetë pacientët të cilët kërkojnë të jenë pjesë e grupeve. Për momentin në rehabilitim është grup i tretë i të lënduarve të cilët me ndihmën e mjekëve, fizioterapistëve dhe personelit profesional shëndetësor, po shërohen dhe po marrin trajtimin e duhur.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit