Shkup, 13 maj – Studentët shqiptarë të Fakulteteve Juridike nga të tri universitetet me mësim në gjuhën shqipe (UT, UNT dhe UEJL) kanë paralajmëruar protestën e dytë radhazi në mbrojtje të përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore, shkruan gazeta KOHA. Përmes një njoftimi publik, ata bëjnë thirrje për mobilizim qytetar, duke caktuar tubimin për më 18 maj (e hënë), në ora 16:30, para Urës së Gurit në Shkup. “Mos mungo, dil mbroje gjuhën!”, thuhet në thirrjen e studentëve, të cilët kërkojnë mbështetje më të gjerë për kauzën e tyre.
Kjo protestë vjen pas protestës të parë të mbajtur muaj më parë, ku studentët ngritën zërin kundër, siç theksuan, për diskriminimin në përdorimin e gjuhës shqipe në proceset e provimeve shtetërore. Në atë protestë, ata kërkuan barazi të plotë gjuhësore dhe respektim të të drejtave të garantuara me ligj. Studentët kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë me protesta të njëpasnjëshme deri në realizimin e kërkesave të tyre, duke theksuar se çështja e gjuhës nuk është vetëm akademike, por lidhet drejtpërdrejt me dinjitetin dhe të drejtat themelore të shqiptarëve në vend. (koha.mk)






