Taravari: Pa ndryshime kushtetuese nuk nisin negociatat me BE-në

Advertisement

Shkup, 2 korrik – Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka deklaruar se partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut mbështesin ndryshimet kushtetuese dhe se tashmë konsensusi për këtë çështje duhet të sigurohet nga pala maqedonase.

Sipas Taravarit, çdo përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian dhe çdo shtet anëtar që viziton vendin përcjell të njëjtin mesazh: nëse Maqedonia e Veriut dëshiron të nisë zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian dhe t’i përfundojë ato me sukses, ndryshimet kushtetuese janë një kusht i domosdoshëm.

“Për të filluar negociatat nuk ekziston alternativë tjetër. I kuptoj plotësisht kërkesat e Kryeministrit për një lloj garancie, por në fund të ditës duhet ta pranojmë se nëse synojmë anëtarësimin në BE, këto ndryshime duhet të bëhen. Nuk shoh opcion tjetër. Ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen sa më shpejt, në mënyrë që negociatat të nisin”, ka theksuar Taravari.

Ai shtoi se, megjithëse është e kuptueshme të kërkohen garanci, nuk ekziston asnjë garanci absolute.

“Nëse kërkohet siguri politike, partitë shqiptare janë të gatshme të mbështesin nisjen e negociatave dhe, rrjedhimisht, edhe ndryshimet kushtetuese. Nuk njoh asnjë parti shqiptare në Maqedoninë e Veriut që të jetë kundër këtij orientimi”, ka shkruar lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari. përcjell Zhurnal.mk .

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit