Supremja ua njeh veteranëve të UÇK-së të drejtën për dy pensione

Advertisement

Avokati Nazmi Sallahu, përmes një njoftimi në Facebook, ka bërë të ditur se Gjykata Supreme ua ka njohur të drejtën për të dy pensionet veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pensionin e moshash dhe atë të veteranit.

Sipas avokatit, veteranëve do iu njihet edhe pensioni i trashëgimtarit pas vdekjes së Veteranit.

“Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u është mohuar në mënyrë të pa drejtë dhe të kundërligjshme, e drejta për të përfituar pensionin e veteranit krahas pensionit Bazë dhe atij Kontributiv. Ky kufizim ka krijuar një pabarazi të pajustifikuar dhe ka cenuar parimet themelore të rendit kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.
Ai shtoi se pensioni i veteranit të UÇK-së është një pension për sakrificën dhe kontributin e dhënë gjatë luftës çlirimtare.

“Mohimi i së drejtës për përfitimin e pensioneve të dyfishta bie ndesh me parimin e barazisë para ligjit, sigurinë juridike dhe mbrojtjen e të drejtave të fituara. Çdo kufizim i një të drejte të tillë duhet të mbështetet në një bazë të qartë kushtetuese dhe ligjore. Në mungesë të këtyre elementeve, kufizimi është arbitrar dhe cenon të drejtat themelore të këtyre kategorive. Në një shtet të së drejtës, respektimi i parimeve të ligjshmërisë, barazisë dhe proporcionalitetit është detyrim kushtetues. Prandaj, çdo dispozitë ligjore ose praktikë administrative që ndalon veteranët e UÇK-së të përfitojnë pensionin e veteranit njëkohësisht me pensionet e tjera të fituara në mënyrë të ligjshme duhet të rishqyrtohet dhe, nëse është në kundërshtim me Kushtetutën, të shfuqizohet”, tha avokati.

“Veteranët e UÇK-së nuk kërkojnë privilegje. Ata kërkojnë vetëm respektimin e ligjit, të Kushtetutës dhe të së drejtave të fituara. Sakrifica për lirinë e vendit nuk mund të shndërrohet në arsye për t’u kufizuar të drejtat që burojnë nga puna, kontributi dhe rendi juridik i Republikës së Kosovës”.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit