Një i mitur është sulmuar fizikisht në oborrin e shkollës fillore në fshatin Banjicë e Poshtme, në rajonin e Gostivarit.
Rastin në polici e ka denoncuar më 11 nëntor, rreth orës 19:00, babai i të miturit, I.B. (33), nga i njëjti fshat.
Sipas denoncimit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:30, kur djali i tij është sulmuar fizikisht nga një person, i cili ndodhej së bashku me disa persona të tjerë.
Ajo që e bën rastin edhe më shqetësues është fakti se sulmi është filmuar me telefon celular, ndërsa pamjet më vonë janë publikuar në një rrjet social.
Nga policia bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rastit.








