Komuna e Butelit dhe drejtoresha e shkollës “Penko” e arsyetojnë mbylljen e paraleles shqipe dhe mospranimin e nxënësve nga Çairi me dispozitat ligjore për arsimin dhe rajonizimin e shkollave.
Megjithatë, kjo çështje ka ngritur pikëpyetje, veçanërisht për faktin se aktualisht në shkollën “Penko” ka nxënës që jetojnë në territorin e Komunës së Çairit.
Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, thotë se ligji mundëson pranimin e nxënësve nga komuna të tjera, veçanërisht kur ata jetojnë në afërsi të shkollës dhe kur numri i nxënësve në paralele është i vogël.
“Ligji e lejon kryetarin e komunës ose diçka të tillë që të mos pranojë nxënës nga komunat tjera, mirëpo rajonizimi i shkollës ka një territor të caktuar dhe të gjithë nxënësit që i takojnë atij territori kanë të drejtën pastaj që të regjistrohen në shkollën konkrete. Sidomos në rastet kur numri i nxënësve është më i vogël, i jepet mundësia që të formohet paralele duke marrë edhe nxënës që mund t’i takojnë një komune tjetër, mirëpo janë në afërsi të shkollës”, u shpreh Sulejmani.
Ai shtoi se në rastin konkret pritet të gjendet një zgjidhje dhe se, sipas tij, paraleja shqipe mund të vazhdojë të funksionojë.
“Mendoj që në këtë rast konkret do të gjendet një zgjidhje e caktuar dhe gjithsesi mendoj që paraleleja mund të shpëtohet dhe nuk duhet të mbyllet”, deklaroi Sulejmani.
Zëvendësministri tha se Ministria e Arsimit tashmë po e ndjek rastin dhe se do të kërkojë informacione nga shkolla, Komuna e Butelit dhe prindërit, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje në përputhje me ligjin dhe në interes të nxënësve.
Sipas Sulejmanit, nëse paraleja ka 18 nxënës, siç është përmendur, nuk ka arsye për mbylljen e saj. Ai theksoi se zgjidhja mund të gjendet nëse shkolla dhe Komuna e Butelit i drejtohen Ministrisë së Arsimit për miratimin përkatës.






