Stuhi të fuqishme godasin Zvicrën: Rrugë të përmbytura, fluturime të anuluara dhe qindra ndërhyrje të zjarrfikësve

Advertisement

Bern, 1 korrik – Stuhi të fuqishme me reshje intensive shiu goditën Zvicrën të martën në mbrëmje dhe gjatë natës, duke shkaktuar përmbytje, anulime fluturimesh dhe probleme të mëdha në transportin rrugor e hekurudhor

Sipas SRF Meteo, gjatë stuhisë u regjistruan mbi 25 mijë vetëtima në mbarë vendin.

Në kantonin e Cyrihut, reshjet e dendura përmbytën rrugë, nënkalime dhe bodrume, ndërsa kanalizimet nuk arritën të përballonin sasinë e madhe të ujit. Vetëm mes orës 20:30 dhe 01:00, shërbimet e zjarrfikësve realizuan më shumë se 700 ndërhyrje, kryesisht në qytetin e Cyrihut dhe komunat Wallisellen, Dübendorf dhe Rafz.

Dhjetëra fluturime u anuluan

Stuhia shkaktoi kaos edhe në Aeroportin e Cyrihut. Mbi 30 avionë që po fluturonin drejt Cyrihut u devijuan për në aeroportet e Shtutgartit, Gjenevës dhe Bazelit.

Si pasojë, deri në orën 07:00 të mëngjesit të së mërkurës u anuluan 70 fluturime, ndërsa shumë pasagjerë u detyruan ta kalonin natën në aeroport.

Ndërpritet koncerti i Linkin Park

Për shkak të motit të keq, koncerti i grupit rock Linkin Park në stadiumin Letzigrund të Cyrihut u ndërpre për rreth 45 minuta, përpara se të rifillonte pas përmirësimit të kushteve atmosferike.

Rrëshqitje dheu dhe bllokime rrugësh

Probleme pati edhe në Zvicrën Qendrore. Në kantonin Uri, rrëshqitjet e dheut dhe gurëve detyruan autoritetet të mbyllnin disa rrugë, përfshirë segmentin e rrugës pranë Seedorfit dhe zonën e kalimit malor Susten.

Përmbytjet çuan gjithashtu në mbylljen e një pjese të autostradës A2, ndërsa autoritetet u bënë thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet e emergjencës dhe të shmangin zonat e prekura.

Fatmirësisht, sipas policisë kantonale të Urit, nga stuhitë nuk është raportuar për persona të lënduar. /Albinfo përcjell Zhurnal.mk .

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit