Struga apelon: Paguani tatimet në kohë – tashmë edhe online

Komuna e Strugës ka nisur shpërndarjen e vendimeve për pagesën e tatimit në pronë për personat fizikë dhe juridikë, si dhe për taksën komunale për firmat.

Nga ky institucion u bëhet thirrje të gjithë qytetarëve dhe subjekteve juridike që të përmbushin obligimet e tyre brenda afateve ligjore, në mënyrë që të shmangin penalitetet dhe kostot shtesë.

Risi këtë vit është mundësia e pagesës online. Përmes platformës zyrtare https://e-tax.struga.gov.mk/, qytetarët mund t’i kryejnë detyrimet e tyre në mënyrë më të shpejtë dhe më të lehtë, një lehtësim i veçantë sidomos për diasporën.

Autoritetet paralajmërojnë se në rast të mospagesës brenda afatit të paraparë, do të aktivizohet përmbarimi tatimor, çka nënkupton masa shtesë dhe rritje të kostove për obliguesit.

Sipas Komunës, të hyrat nga taksat komunale janë thelbësore për zhvillimin e qytetit, duke mundësuar investime në infrastrukturë, përmirësimin e shërbimeve publike dhe realizimin e projekteve të reja në komunitet.

Njëkohësisht theksohet se këto masa synojnë trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët dhe rritjen e transparencës në mbledhjen e të hyrave.

Për çdo paqartësi, qytetarët mund të drejtohen pranë Njësisë për Tatime dhe Taksa Komunale në Komunën e Strugës, ku do të marrin sqarimet e nevojshme dhe mbështetje për azhurnimin e të dhënave.

Komuna apelon për bashkëpunim nga qytetarët, duke theksuar se përmbushja e detyrimeve është kyçe për zhvillimin dhe mirëqenien e qytetit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit