Deputeti i VMRO-DPMNE, Bojan Stojanoski, deklaroi se investimet në infrastrukturë dhe realizimi i projekteve kapitale kanë filluar të japin rezultate konkrete në ekonomi, duke theksuar se sektori i ndërtimit po shënon rritje të konsiderueshme.
Sipas Stojanoskit, të dhënat zyrtare tregojnë se ekonomia e vendit vazhdon të rritet për gjashtë tremujorë radhazi. Ai theksoi se në tremujorin e katërt të vitit 2025 ekonomia është rritur me 3,8 për qind, ndërsa rritja kumulative gjatë gjithë vitit ka arritur 3,5 për qind.
Ai nënvizoi se veçanërisht i rëndësishëm është zhvillimi në sektorin e ndërtimit, ku sipas të dhënave zyrtare është regjistruar rritje prej 14,6 për qind, duke e lidhur këtë trend me investimet në projekte infrastrukturore dhe kapitale në vend.
“Rritja prej 14,6% vjen në një periudhë kur në vend po realizohen projekte të mëdha infrastrukturore, si autostrada, hekurudha, rrugë rajonale dhe lokale, si dhe projekte të shumta komunale”, theksoi ai.
Stojanoski shtoi se sektori i ndërtimit ka shënuar rritje të vazhdueshme gjatë vitit 2025, duke përmendur se në tremujorin e tretë rritja ishte rreth 21 për qind, ndërsa në tremujorin e katërt 14,6 për qind, pavarësisht periudhës dimërore kur aktivitetet ndërtimore zakonisht janë më të ulëta për shkak të kushteve klimatike.
Sipas tij, këto tregues janë dëshmi se investimet në infrastrukturë po ndikojnë pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe në rritjen e aktivitetit ndërtimor në vend.



