Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, gjatë seancës së sotme dëgjimore mbikëqyrëse në Kuvend, me temë “Arsyet e vendosjes së administrimit në Alta Banka SHA Manastir, roli dhe veprimet e Bankës Popullore dhe përgjegjësia institucionale”, deklaroi se Qeveria e mëparshme, e udhëhequr nga LSDM-ja, që në vitin 2023 kishte dhënë pëlqimin për shitjen e aksioneve në bankën e atëhershme Stopanska Banka SHA Manastir.
“Jemi dëshmitarë të një sërë akuzash politike nga LSDM-ja dhe deputeti Venko Filipçe, të cilët përpiqen që të gjithë përgjegjësinë për zhvillimet në Alta Banka t’ia atribuojnë Qeverisë aktuale. Kjo është diçka që patëm mundësi ta dëgjojmë edhe gjatë 120 sekondave të fundit”, deklaroi Stojanoski, duke shtuar:
“Megjithatë, ekziston një vendim zyrtar, i publikuar në Gazetën Zyrtare, numër 123 të vitit 2023, me të cilin Qeveria e atëhershme, e udhëhequr nga LSDM-ja, ka dhënë pëlqimin për shitjen e aksioneve në Stopanska Banka SHA Manastir, që sot njihet si Alta Banka.”
Stojanoski i parashtroi një pyetje kryeministrit:
“Çfarë zbulon konkretisht ky vendim për veprimet e Qeverisë së mëparshme? A është realizuar shitja e aksioneve në bazë të këtij vendimi dhe si dallon ai nga vendimet e Qeverisë aktuale gjatë vitit 2026?”








