Spanja është në çerekfinale. Ashtu siç pritej, beteja me Portugalinë ishte e jashtëzakonshme, me një ritëm të frikshëm, që zgjidhet vetëm në momentet e fundit nga klasi i Torres, që jep një pasim perfekt për Merinon dhe vulos fitoren 0-1.
Spanja e nis me vrullin që nuk e kishim parë deri më tani në Botëror. Që në minutën e tretë Oyarzabal tenton nga jashtë zonës, por ndalet nga Costa. Pesë minuta më vonë është sërish sulmuesi i qendrës që del përballë portierit, por e nxjerr jashtë. Arbitri ngre flamurin për pozicion jashtë loje, por pamjet tregojnë të kundërtën.
Në të 16-ën Yamal merr një top nga e majta, shmanget bukur, godet, por Costa bën mrekullinë. Topi kthehet te Baena, por sërish Costa tregohet i pakalueshëm. Minuta të mira për Spanjën, që dominon, por finalizimi nuk është i duhuri dhe ky kthehet problem më vete.
Me kalimin e minutave Portugalia e merr veten dhe kërkon të barazojë lojën. Në të 37-ën vjen momenti i parë i Ronaldos. Felix shërben me kokë në zonë, devijon portieri dhe topi shkon te CR7, i cili tenton me një kthesë drejt portës, por pa forcën e duhur dhe ndalet nga Simon. Katër minuta më vonë Mendez tenton nga jashtë zonës, por devijimi i Porros e “poston” në shtyllë.
Pjesa e dytë nis me lajm të keq për Portugalinë, pasi Mendes dëmtohet pas një dueli me Yamal. Në vendin e tij aktivizohët Semedo. Ndeshja vijon me ritëm të lartë, por rastet që skuadrat arrijnë të krijojnë nuk kanë potencialin e duhur. Spanja tenton me zbritjet e Yamal, ndërsa portugezët aktivizojnë Leaon për më shumë shpejtësi dhe forcë goditëse.
Me kalimin e minutave skuadrat tentojnë me pak forca në sulm për të mos humbur ekuilibrin për shkak se një gol do të rezultonte fatal. Dhe këtë e bën Merino. Mesfushori i Arsenalit merr një pasim perfekt nga Ferran Torres dhe me një finalizim të akullt arrin të tundë rrjetën në minutën e parë të shtesës.
Minutat e mbetura janë të vështira, por iberikët rezistojnë dhe marrin një triumf të madh. Në çerekfinale presin fituesin e çiftit SHBA-Belgjikë.





