Ministria e Transformimit Digjital sot do të promovojë aplikacionin mobil “m.Uslugi”, i cili synon t’u mundësojë qytetarëve qasje më të lehtë në shërbimet publike elektronike dhe dokumentet digjitale përmes telefonit.
Në promovimin që do të mbahet në Filarmoninë e Maqedonisë në Shkup, pritet të flasin kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, si dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, Mihalis Rokas.
Sipas paralajmërimeve të ministrit Andonovski, aplikacioni do të mundësojë qasje në versionet elektronike të letërnjoftimit dhe patentë-shoferit, si dhe në tri shërbimet e para digjitale për qytetarët.
Aplikacioni do të jetë falas dhe mund të shkarkohet përmes platformave Google Play dhe App Store. Përdoruesit do të mund t’i marrin dokumentet e tyre digjitale duke i plotësuar të dhënat personale dhe numrin e letërnjoftimit.
Andonovski ka theksuar se ky është hapi i parë drejt krijimit të një portofoli digjital, i cili në të ardhmen pritet të përfshijë edhe të dhëna nga sistemi “M.Shëndet” dhe kartelën evropiane të të rinjve.
Pranimi i dokumenteve elektronike nga institucionet do të bëhet gradualisht, në përputhje me ndryshimet e nevojshme ligjore dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.








