Sot në Kuvend rikonstruktimi i Qeverisë, Mickoski prezanton ministrat e rinj

Advertisement

Kuvendi sot pritet të mbajë seancën e 112-të, në të cilën në rend dite janë propozimet për shkarkimin e disa ministrave dhe zëvendësministrave, si dhe zgjedhja e anëtarëve të rinj të Qeverisë.

Në seancë pritet që kryeministri Hristijan Mickoski të arsyetojë rikonstruktimin e paralajmëruar prej kohësh.

Sipas propozimit të Qeverisë, ministri i Drejtësisë, Igor Filkov nga ZNAM, duhet të shkarkohet, ndërsa në vend të tij është propozuar Jeton Shaqiri nga VLEN.

Ivan Stoilkoviq pritet të largohet nga Ministria për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive dhe të marrë drejtimin e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale. Ministri aktual i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski, pritet të emërohet drejtor i Fondit të Sigurimit Shëndetësor.

Sasho Klekovski, i cili aktualisht drejton Fondin, është propozuar për ministër të Shëndetësisë në vend të Azir Aliut. Për ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive është propozuar Agon Ferati nga VLEN.

Ndryshime priten edhe në disa dikastere të tjera. Borçe Serafimovski nga ZNAM është propozuar për ministër të Bujqësisë, në vend të Cvetan Tripunovskit, ndërsa Gjoko Velkovski nga VMRO-DPMNE pritet ta zëvendësojë Fatmir Limanin në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.

Për ministër të Kulturës dhe Turizmit është propozuar Sedat Sulejmani nga VLEN, në vend të Zoran Ljutkovit, ndërsa Erxhan Demir nga VMRO-DPMNE është propozuar për ministër pa resor në vend të Shaban Saliut.

Sipas Rregullores së Kuvendit, debati për shkarkimin e anëtarëve të Qeverisë mund të zgjasë më së shumti dy ditë, ndërsa ministrat e propozuar për shkarkim kanë të drejtë të deklarohen për 15 minuta. Ministrat e rinj zgjidhen me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të deputetëve.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit