Sot pritet dorëheqja e kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi.
Për nesër është caktuar seancë në të cilën Kuvendi do t’i konstatojë dorëheqjet, ndërsa për kryetar të Kuvendit do të zgjidhet Jovan Mitreski, koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së. Pas kësaj, shefi i shtetit Stevo Pendarovski duhet të informohet se e gjithë Qeveria po jep dorëheqje, pas së cilës LSDM-ja do ta propozojë për mandatar të ri Talat Xhaferin.
Të dielën do të mbahet seanca për zgjedhjen e Qeverisë teknike, pjesë e së cilës do të jetë edhe VMRO-DPMNE, ndërsa më pas duhet të mbahet seanca për zgjedhjen e zëvendësministrave shtesë.
Një pjesë e mediave raportoi se në qeverinë teknike, Bojan Mariçiq do të jetë zëvendëskryeministri i parë i ngarkuar për çështjet evropiane, ndërsa Artan Grubi mbetet zëvendëskryeministër dhe ministër për sistemin politik dhe marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve.
VMRO-DPMNE, nga ana tjetër, dje ka prezantuar nominimet e saj.
Pançe Toshkovski, avokat dhe kryetar i Komisionit Ligjor të VMRO-DPMNE-së, do të jetë kandidat për ministër të Punëve të Brendshme.
Gjoko Velkoski do të propozohet për postin e ministrit të Punës dhe Politikës Sociale. Velkovski dikur ka qenë i punësuar në këtë ministri, ndërsa tani është i punësuar në komunën e Gazi Babës. Velkovski është ish-sekretar i përgjithshëm i qytetit të Shkupit.
Për zëvendësministrin e ri shtesë të financave është propozuar Elena Petrova, ekonomiste e diplomuar me mbi 25 vite përvojë pune në Drejtorinë e të Ardhurave Publike. Cvetan Tripunovski është propozuar për zëvendësministër shtesë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave. Stefan Andonovski, ish-sekretar i VMRO-DPMNE për marrëdhënie ndërkombëtare dhe këshilltar në Këshillin e Qytetit të Shkupit, do të propozohet për zëvendësministër shtesë për shoqërinë informative.(INA)