SKANDAL NË MPB: Piloti kryesor drejtoi helikopterin me leje të falsifikuar

Një skandal i rëndë ka tronditur Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), ku një inspektor policie, i punësuar gjatë mandatit të ish-ministrit Oliver Spasovski, dyshohet se ka drejtuar për vite me radhë helikopterin e policisë duke përdorur një leje të falsifikuar. Sipas informacioneve, që ka siguruar portali „Skopje INFO“ gjatë kësaj periudhe, me këtë helikopter janë transportuar edhe figura të larta politike dhe ministra.

Departamenti i Kontrollit të Brendshëm, Hetimeve Kriminale dhe Standardeve Profesionale pranë MPB-së ka dorëzuar padi penale kundër personit të punësuar si kryepilot në Departamentin e Njësive Ajrore. Ai dyshohet për veprën penale “Falsifikim i dokumentit” sipas nenit 378 të Kodit Penal.

Midis 27 shkurtit dhe 10 prillit 2023, personi në fjalë, në cilësinë e shefit të Njësisë Ajrore, ka tentuar të sigurojë autorizimin për instruktor të helikopterëve të tipit TRI BELL 206.

Pa plotësuar kushtet e nevojshme, ai ka shënuar në mënyrë të paligjshme në lejen e tij të ekuipazhit se posedon autorizimin TRI B-206, duke pretenduar se e kishte fituar atë që më 26 shkurt 2020.

Këtë dokument të falsifikuar ai e ka paraqitur si të vërtetë para autoriteteve të Policisë Ajrore në Brnik të Sllovenisë, si dhe në dy procedura administrative para Agjencisë së Aviacionit Civil për të regjistruar licencën e tij civile.

Rasti i është dorëzuar Prokurorisë kompetente, e cila pritet të vendosë për hapat e mëtutjeshëm të procedurës. Ky skandal ngre pikëpyetje të mëdha mbi sigurinë e fluturimeve zyrtare dhe kontrollin e personelit brenda strukturave më të larta të sigurisë në vend.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit