Nën moton “Marrëveshja kolektive nuk manipulohet, kultura ka zë”, Sindikata e Kulturës e Republikës së Maqedonisë ka paralajmëruar protestë më 16 prill, në orën 12:00, para Ministrisë së Kulturës, si shprehje e pakënaqësisë së akumuluar të punonjësve të këtij sektori ndaj zhvillimeve të fundit që lidhen me të drejtat e tyre dhe trajtimin institucional.
Në njoftimin e saj zyrtar, Sindikata thekson se protesta vjen si reagim i drejtpërdrejtë ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka nisur procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Marrëveshjes Kolektive për Kulturën, një hap që sipas sindikatës rrezikon të cenojë të drejtat e fituara të punonjësve dhe mënyrën e llogaritjes së pagave në këtë sektor. “Sindikata e Kulturës do të mbajë një protestë për të shprehur pakënaqësinë e saj me vendimin e turpshëm të Gjykatës Kushtetuese për të filluar një procedurë për shfuqizimin e Marrëveshjes Kolektive për Kulturën dhe shkeljen e marrëveshjeve kolektive në metodën e llogaritjes së pagave”, thuhet në deklaratën e tyre.
Sindikalistët theksojnë se punonjësit në kulturë përballen prej kohësh me mungesë vlerësimi institucional dhe kompensimi të drejtë për punën e tyre, duke nënvizuar se pavarësisht kushteve, ata do të vazhdojnë të reagojnë publikisht. “Ne punojmë kur të tjerët pushojnë. Pa kompensim. Pa njohje. Por jo pa zë”, deklarojnë nga Unioni, duke e shoqëruar thirrjen për protestë edhe me një video publike, përmes së cilës synojnë të rrisin ndërgjegjësimin për gjendjen në sektorin e kulturës.
Reagimet e Sindikatës kanë qenë të vazhdueshme gjatë ditëve të fundit, ku sindikata ka paralajmëruar se Marrëveshja Kolektive është “nën sulm” dhe “e varur në ajër”, pas nisjes së procedurës nga Gjykata Kushtetuese, duke ngritur shqetësime për pasojat që mund të ketë kjo në statusin dhe të ardhurat e punonjësve të kulturës.
Në një nga reagimet e fundit, sindikata ka drejtuar akuza të drejtpërdrejta ndaj institucioneve përgjegjëse, veçanërisht ndaj Ministrisë së Kulturës dhe ministrit Zoran Ljutkov, duke vënë në pikëpyetje transparencën dhe saktësinë e informacionit të dhënë për publikun. “Kush po e gënjen Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë? Pse Ministria përkatëse e Kulturës, përkatësisht Ministri Zoran Ljutkov, nuk ka dhënë informacion të saktë në lidhje me pagën bazë të punonjësve në kulturë? Pse publiku po nxitet vazhdimisht me informacion të pasaktë në lidhje me pagat në kulturë? A do të mbahet dikush përgjegjës për këtë persekutim të padrejtë të punonjësve në kulturë?”, njoftuan nga atje.
Sindikata ka bërë të ditur se përplasja me institucionet nuk ka mbetur vetëm në nivel deklarativ, pasi ndaj ministrit të Kulturës është dorëzuar edhe kallëzim penal, çka e thellon më tej konfliktin mes palëve dhe e zhvendos atë edhe në planin juridik.
Nga ana tjetër, ministri i Kulturës, Zoran Ljutkov, i ka hedhur poshtë këto akuza, duke i cilësuar si “krejtësisht të pabaza dhe të pasakta”, ndërsa ka akuzuar sindikatën se po vepron kundër reformave dhe dialogut në sektor. Ai ka vlerësuar se qasja e Sindikatës është “e papërgjegjshme dhe një përpjekje për të manipuluar publikun dhe për të instrumentalizuar sektorin kulturor për qëllime politike”, duke thelluar kështu përplasjen publike mes dy palëve.



