Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova priti sot në vilën “Biljana” në Ohër zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Çekisë, Petr Macinka, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit vlerësuan se marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Çekisë karakterizohen nga miqësia tradicionale, respekti i ndërsjellë dhe mirëkuptimi. Ata theksuan gjithashtu trashëgiminë e përbashkët të ndërlidhur me veprën e shenjtorëve Kirili dhe Metodi, të cilën e cilësuan si një urë të rëndësishme bashkëpunimi mes dy popujve.
Temë qendrore e bisedimeve ishte procesi i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Siljanovska-Davkova theksoi se statusi i gjatë kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian nuk është rezultat i mospërputhjes me standardet evropiane, por i bllokadave nga disa vende fqinje për çështje identitare.
Ajo nënvizoi se integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm çështje politike dhe teknike, por edhe çështje e sigurisë evropiane.
Nga ana e tij, ministri çek Petr Maçinka deklaroi se vendi i Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian. Sipas tij, Republika Çeke ka nevojë për partnerë dhe aleatë me histori, mentalitet dhe kulturë të ngjashme.
Presidentja shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe parimore të Çekisë ndaj procesit të zgjerimit të BE-së, përfshirë angazhimin e saj në kuadër të iniciativës “Miqtë e Zgjerimit”, si dhe përmes aktiviteteve në Grupin e Vishegradit dhe formatin Sllavkov.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se bashkëpunimi në fushat e ekonomisë, turizmit, shkencës dhe arsimit do të vazhdojë të zhvillohet dhe të forcohet edhe në të ardhmen.






