Flonja Haxhaj
Në natën e katërt të Prishtina International Film Festival, publiku në Kino Armata pati mundësinë që të ndjekë premierën e filmit ‘Silence of Sirens’ të regjisorit Gazmend Nela. Filmi, i cili është bashkëpunim ndërmjet Kosovës, Shqipërisë, Zvicrës dhe Maqedonisë së Veriut trajton, temën e korrupsionit dhe moralit të dyshimtë në një shoqëri në tranzicion, përmes një tregimi të përqendruar në jetën e një polici të thjeshtë, shkruan KultPlus
Jeta e tyre duket e qetë dhe pa sfida të mëdha, deri në natën kur ata ndalojnë një prokuror të gjykatës ndërkombëtare, i cili gjendet i dehur dhe me një çantë të mbushur me para në makinën e tij. Duke menduar se po veprojnë drejt, ata e shoqërojnë prokurorin në stacion, por pa e ditur se po përfshihen në një rast të ndërlikuar korrupsioni, shumë përtej kompetencave dhe mundësive të tyre.
Filmi thellohet në dilemat morale të personazheve, duke pasqyruar një realitet të njohur për shumë shoqëri në rajon, ku korrupsioni, edhe në nivele të ulëta, është i pranishëm në jetën e përditshme. Me një ton të qetë por tronditës, “Silence of Sirens” eksploron pasojat e veprimeve të vogla, që shpesh duken të pafajshme, por që mund të kenë ndikime të thella në jetët e njerëzve.
Pas premierës, për KultPlus foli vetë regjisori Gazmend Nela, i cili u shpreh i lumtur që pas disa premierave ndërkombëtare, filmi u shfaqe edhe në Kosovës.
“Për mua ka pasë shumë rëndësi që filmi të shfaqet përpara publikut vendor. Filmi deri më ani është shfaqur në shumë vende të botës, por asnjëherë në Kosovë dhe kjo ditë ishte për mua shumë e veçantë e shumë emocionuese”, u shpreh Nela.
Ndërkaq, aktori Allmir Suhodolli, i cili në film shfaqet në njërin nga rolet kryesore, atë të Gëzimit, tha se ndjehet i lumtur me paraqitjen e tij në këtë film dhe me këtë kastë të aktorëve.
“E gjithë tema e filmit nuk është diçka e panjohur për neve, do të doja të falënderoja shumë ekipin që e ka bërë edhe më të lehtë realizimin. Më është dashur të konsultohem shumë me regjisorin sepse ka pasur shumë shtjellime dhe nënshtresa të skenave. Edhe pse mund të duket e thjeshtë, gjatë filmit ka kthesa të ndryshme të cilat jemi munduar t’i lëmë në fund, e me shumë diskutim kemi arritur të shkojmë aty ku edhe kemi dashur”, theksoi Suhodolli.
Ndërrkaq, Pri Fest do të zgjasë deri nesër kur edhe do të shpallen filmat fitues./KultPlus.com