Ministria e Ekonomisë dhe Punës i ka dorëzuar Qeverisë propozim-vendimin për vendosjen e “shportës shkollore”, e cila parashikon zbritje deri në 15 për qind për pajisjet shkollore para fillimit të vitit të ri shkollor.
Nga ministria bëjnë të ditur se masa është përgatitur në konsultim me tregtarët me shumicë dhe pakicë, me qëllim uljen e shpenzimeve të prindërve. Përbërja dhe çmimi i shportës mund të ndryshojnë nga një tregtar te tjetri, në varësi të produkteve, cilësisë dhe markës.
Produktet e përfshira në “shportën shkollore” do të jenë të shënuara dhe të vendosura në vende të dukshme, ndërsa çmimet do të jenë të qarta. Zbritja do të aplikohet në arkë dhe do të pasqyrohet në kuponin fiskal.
Propozim-vendimi do të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, e cila është planifikuar të mbahet të martën.
Kryeministri Hristijan Mickoski konfirmoi se Qeveria pritet ta miratojë masën, duke thënë se ajo synon të jetë në interes të prindërve dhe nxënësve.
Në kuadër të “shportës shkollore” pritet të përfshihen çanta, fletore, lapsa, markera, blloqe vizatimi dhe produkte të tjera bazë shkollore që zakonisht blihen para fillimit të vitit shkollor.






