Ambasada e Austrisë ka reaguar pas dëmtimit dhe largimit të një pjese të pajisjeve të reja për shënjimin dimëror të shtegut drejt Majës së Titos në Kodrën e Diellit, në një gjatësi prej rreth 11 kilometrash.
Sipas ambasadës, nga gjithsej 112 shtylla të vendosura në terren, më shumë se 45 janë dëmtuar, shkatërruar ose larguar. Dëmi financiar vlerësohet në të paktën 8 mijë euro, përkatësisht rreth 500 mijë denarë.
Shënjimi është realizuar në kuadër të projektit “Slavkov – Shënjimi i shtigjeve malore në Maqedoninë e Veriut”, me mbështetje financiare nga ambasadat e Austrisë, Çekisë dhe Sllovakisë, si dhe nga Birraria e Shkupit. Në projekt kanë marrë pjesë mbi 25 vullnetarë lokalë dhe biznese të vogla nga Tetova dhe Bogovina.
Nga Ambasada e Austrisë theksojnë se dëmtimi i shënjimeve paraqet shqetësim edhe për sigurinë e alpinistëve, veçanërisht gjatë kushteve të vështira dimërore, kur bora, mjegulla, erërat e forta dhe dukshmëria e ulët mund ta vështirësojnë orientimin në mal.
Rasti është raportuar në polici. Më 19 gusht, ekipet e policisë, në prani të përfaqësuesve të Parkut Kombëtar “Mali Sharr”, kanë kryer inspektim në terren dhe kanë dokumentuar dëmtimet.
Ambasada pret që institucionet kompetente të hetojnë rastin dhe të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore.
“Shënjimi i shtigjeve malore nuk е само një shtyllë apo shenjë. Në kushte me borë, mjegull dhe stuhi, ai mund të jetë vendimtar për sigurinë e alpinistëve”, thuhet në reagimin e ambasadës.






