11.8 C
Skopje
Sunday, October 6, 2024

Shorti i fatit: Kosovarët ëndërrojnë për viza pune në Gjermani

Fillimi i çdo muaji e gjen një 26-vjeçar nga Suhareka në ueb-faqen e Ambasadës së Gjermanisë, duke aplikuar për vizë pune. Këtë procedurë ai e ka ndjekur që 20 muaj, por… pa fat.

“Jo vetëm që bëhet bajat, por nganjëherë edhe harroj të aplikoj [ditën e parë]. Pastaj, të bëhet rutinë. Janë datat e caktuara kur duhet të aplikosh dhe e kryen”, thotë ai.

Dikur në dy javët e para të çdo muaji – sa është thirrja e hapur për aplikim – ai thotë se i dedikon rreth 15 minuta kohë për ta kryer aplikimin.

Ai nuk dëshiron të identifikohet me emër, pasi që është i punësuar në Kosovë, por thotë se edhe pse 20 aplikimet e deritanishme nuk kanë pasur sukses, ai do të vazhdojë të aplikojë.

“Nuk të dekurajon [mungesa e suksesit në aplikim] sepse… thjesht e provon fatin”, shprehet ai.

Që nga janari i vitit 2021, kosovarët – bashkë me fqinjët e tyre në Ballkanin Perëndimor – fituan “qasje të privilegjuar në tregun gjerman të punës”, siç thuhet në ueb-faqen e Ambasadës gjermane. Kjo, pasi që në Gjermani hyri në fuqi “Rregullorja për Ballkanin Perëndimor”, përmes së cilës, qytetarët e vendeve të këtij rajoni mund të aplikojnë për vizë pune, pavarësisht kualifikimit të tyre profesional.

Fillimisht, terminët për vizë pune i fitonte kushdo që arrinte të regjistrohej i pari, por më vonë mënyra e përcaktimit të terminëve ndryshoi, duke u bërë përmes tërheqjes së shortit në Ministrinë e Jashtme Federale të Gjermanisë në Berlin.

Radio Evropa e Lirë pyeti në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë se sa është numri i kërkesave që parashtrohen për të rezervuar termin për vizë pune brenda muajit, por iu tha se statistika të tilla nuk mbahen. Megjithatë, siç merr vesh REL-i, brenda vitit në dispozicion janë 5.500 vende.

Në ueb-faqen e Ambasadës gjermane në Prishtinë thuhet se mënyra e përcaktimit të terminëve u zëvendësua me procedurën e tërheqjes së shortit, “për shkak të kërkesës tejet të lartë për caktim të terminëve, e cila i tejkalon dukshëm terminët që janë në dispozicion”.

E, përderisa djaloshi nga Suhareka thotë se është i rrethuar nga shumë shokë e shoqe që kanë kaluar nëpër faza të ngjashme si ai, disa të tjerë kanë pasur më shumë fat në tërheqjen e shortit.

Në vitet e fundit, mijëra kosovarë kanë marrë viza pune për në Gjermani. Vetëm vitin e kaluar, numri i vizave të punës të lëshuara nga Ambasada e Gjermanisë është rritur për 110 për qind, në krahasim me vitin paraprak.

Një prej përfituesve të vizës së punës në Gjermani është edhe Ramiz Hoxha, i lindur në fshatin Shalë të Lipjanit. Që gjashtë vjet, ai jeton në Hajllbron të Gjermanisë. Për të, procesi i marrjes së vizës nuk ka qenë aq i vështirë.

“Për ta marrë vizën, për krejt procedurën kam pritur tre muaj, se atëherë kanë qenë më pak aplikime”, thotë Hoxha për Radion Evropa e Lirë.

 

Ai thotë se përreth tij ka shumë shqiptarë të tjerë. Këtë e tregojnë edhe shifrat e kosovarëve që kanë hequr dorë nga pasaporta e Kosovës për ta marrë atë të Gjermanisë.

Gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës raportoi për rreth 1.500 persona të tillë.

 

 

Paga mesatare në Kosovë është 520 euro, ndërsa në Gjermani ishte 4.105 euro, sipas shifrave zyrtare të publikuara në prill të vitit të kaluar.

Por, përveç kushteve më të mira të jetesës dhe pagave më të larta sesa në Kosovë, Lirim Krasniqi nga organizata Germin, e cila merret kryesisht me çështje të diasporës, beson se Gjermania është bërë vend atraktiv për kosovarët edhe për një arsye tjetër.

“Arsyeja pse njerëzit shkojnë në Gjermani e jo në Francë dhe vendet e tjera të zhvilluara të Bashkimit Evropian, është sepse Gjermania e ka bërë shumë të lehtë emigrimin prej vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Ai thotë se lehtësimi që është bërë përmes “Rregullores për Ballkanin Perëndimor” ka ardhur shkaku i nevojës së Gjermanisë për fuqi punëtore dhe shkaku i plakjes së popullsisë gjermane.

“Aspekti procedural dhe burokratik është lehtësuar jashtëzakonisht shumë nga ana e shtetit gjerman, në mënyrë që të tërheqë sa më shumë të rinj, veçanërisht profesionistë, që të shkojnë të integrohen atje dhe të punojnë në Gjermani”, shton Krasniqi.

Në gusht të këtij viti, kabineti gjerman i miratoi planet për ta lehtësuar rrugën drejt shtetësisë për emigrantët dhe për të lejuar më shumë njerëz të kenë nënshtetësi të dyfishtë.

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lajmet e fundit