Shkupi synon rritjen e turistëve dhe investimeve nga Izraeli, Mucunski propozon linjë direkte ajrore

Advertisement

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, gjatë një interviste për gazetën izraelite “The Jerusalem Post”, ka folur për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit mes Maqedonisë së Veriut dhe Izraelit, me fokus te turizmi, investimet dhe lidhjet ekonomike.

Intervista është zhvilluar gjatë vizitës së parë të Mucunskiut në Izrael në cilësinë e ministrit. Ai ka theksuar potencialin e Maqedonisë së Veriut për t’u pozicionuar si një pikë hyrëse drejt tregut evropian për turistët, kompanitë dhe investitorët izraelitë.

Një nga çështjet e diskutuara ka qenë mundësia e vendosjes së një linje ajrore direkte mes Tel Avivit dhe Shkupit, ose mes Tel Avivit dhe Ohrit. Sipas Mucunskiut, një lidhje e tillë do të mund të kontribuonte në rritjen e turizmit, kontakteve afariste dhe bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

“Një nga temat e para për të cilat diskutuam ishte mundësia e vendosjes së një linje ajrore direkte mes Tel Avivit dhe Shkupit ose Tel Avivit dhe Ohrit, i cili është qendra jonë kryesore turistike dhe qyteti që, besoj, çdo izraelit do të dëshironte ta vizitonte”, tha Mucunski.

Ministri theksoi se bashkëpunimi nuk duhet të kufizohet vetëm në turizëm. Sipas tij, pozita e Maqedonisë së Veriut në kryqëzimin e Korridoreve 8 dhe 10, si dhe investimet në infrastrukturën energjetike dhe të transportit, krijojnë mundësi për forcimin e pranisë së kompanive izraelite në tregjet evropiane.

“Ne duam të jemi portë drejt Evropës jo vetëm për turistët izraelitë, por edhe për kompanitë izraelite. Mund të jemi gjithashtu pikë hyrëse për investitorët izraelitë në tregun evropian”, deklaroi Mucunski.

Gjatë intervistës është diskutuar edhe për mundësitë e bashkëpunimit në bujqësi, menaxhimin e ujërave, siguri, inovacione, turizëm, shëndetësi, arsim, investime dhe industrinë e mbrojtjes.

Mucunski ka vlerësuar se marrëdhëniet dypalëshe mes Maqedonisë së Veriut dhe Izraelit kanë hapësirë për t’u zhvilluar më tej, veçanërisht përmes rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe kontakteve institucionale.

“Që nga formimi i Qeverisë, marrëdhëniet dypalëshe me Izraelin i kemi vendosur si një nga prioritetet e politikës sonë të jashtme”, theksoi ai.

Në intervistë u përmendën edhe kontaktet e shtuara mes dy vendeve gjatë periudhës së fundit, përfshirë vizitën e një delegacioni parlamentar të kryesuar nga deputetja Rashela Mizrahi në janar, gjatë së cilës janë zhvilluar takime me kryetarin e Knesetit, Amir Ohana, dhe përfaqësues të tjerë izraelitë.

Sipas Mucunskiut, vizita në Izrael paraqet një mundësi për të forcuar më tej bashkëpunimin dypalësh, veçanërisht në fushat e turizmit, investimeve, ekonomisë dhe bashkëpunimit afarist.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit