SHBA-ja ka vendosur sanksione ndaj nëntë subjekteve dhe dy individëve, të cilët akuzohen se ndihmojnë qeverinë kubane të ruajë kontrollin mbi sektorët jetik të ekonomisë dhe të shfrytëzojë fuqinë punëtore jashtë vendit, transmeton Anadolu.
Regjimi komunist kuban vazhdon të përbëjë një kërcënim të thellë shumëdimensional për sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe stabilitetin e hemisferës”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në një deklaratë.
Ai iu referua një raporti të fundit të departamentit të tij, i cili përshkruan dekada përpjekjesh të Havanës për “të minuar institucionet politike” të SHBA-së.
Masat e reja, të zbatuara në bazë të një urdhri ekzekutiv të presidentit amerikan, Donald Trump, synojnë aktorë të përfshirë në sektorët financiar, energjetik dhe mjekësor të Kubës.
Rubio identifikoi në veçanti katër subjekte të lidhura me përpjekjet për shmangien e sanksioneve në emër të konglomeratit GAESA, i cili është i lidhur me ushtrinë kubane.
Përveç kësaj, sanksionet synojnë edhe personat që, sipas SHBA-së, janë përgjegjës për “shfrytëzimin dhe punën e detyruar” të personelit kuban të angazhuar në brigadat mjekësore të Havanës jashtë vendit.






