Zëvendësministri i Mbrojtjes, Admir Shabani, ka reaguar ndaj kritikave të BDI-së për pjesëmarrjen e ulët të shqiptarëve si kadetë në Akademinë Ushtarake, duke thënë se kjo është një gjendje e trashëguar nga qeverisjet e kaluara.
Shabani thekson se gjatë periudhës kur Talat Xhaferi ishte zëvendësministër dhe më pas ministër i Mbrojtjes, Akademia Ushtarake kishte qenë nën moratorium, ndërsa në vitet e fundit të qeverisjes së LSDM-së aplikonin vetëm një ose dy kadetë shqiptarë në vit.
Ai pranon se rënia e interesimit të të rinjve shqiptarë është shqetësuese, por thekson se kjo çështje nuk mund të zgjidhet brenda natës. Sipas tij, nevojitet një qasje sistematike dhe sensibilizim i vazhdueshëm i të rinjve dhe prindërve për ta parë Akademinë Ushtarake si mundësi për karrierë dhe përfaqësim në institucionet shtetërore.
Në reagimin e tij, Shabani i bën thirrje BDI-së të ndalojë, siç thotë, manipulimet dhe krijimin e një përshtypjeje të rreme se shqiptarët po diskriminohen aktualisht në këtë institucion.








