15.8 C
Skopje
Thursday, July 10, 2025

Sela me kritika ndaj pushtetit për Ligjin për Përfaqësim Adekuat, Mexhiti: Po zgjidhim çështje të pazgjidhura që nga viti 2003

Ligji për përfaqësim të drejtë po sillet në mënyrë jotransparente dhe, ashtu siç është përgatitur, nuk e rregullon përfaqësimin. Këtë e deklaroi kryetari i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, sipas të cilit edhe përzgjedhja e momentit për miratimin e tij, para zgjedhjeve lokale, ka për qëllim të vetëm përfitimin e pikëve politike. Sipas Selës, prezantimi triumfal i djeshëm i ligjit ishte vetëm shfaqje teatrale nga kryeministri, së bashku me “dekorin” e tij prej zëvendëskryeministra, tha Sela.

“Ky është ligj që dërgohet në Komisionin e Venecias, gjë që për të qenë të sinqertë nuk është e nevojshme, por po bëhet vetëm që të krenohen se kinse kanë sjellë ligj për përfaqësim të drejtë, ndërsa të tjerët të fitojnë kohë derisa të kalojnë zgjedhjet lokale. Nuk duhet të trajtohet përfaqësimi i drejtë në këtë mënyrë. Ky nuk është përfaqësim i drejtë dhe me këtë propozim-ligj nuk rregullohet përfaqësimi i drejtë”, tha Ziadin Sela, Kryetar I Aleancës Për Shqiptarët.

Zëvendëskryeministri Mexhiti thotë se opozita aktuale kritikon fillimisht për barometrin e përfaqësimit që vetë e hoqi në kohën e pushtetit të kaluar, ndërsa tani kritikon edhe ligjin që e ka sjellë Qeveria aktuale. Ai theksoi se pas miratimit nga Komisioni i Venecias, ligji do të dorëzohet në Kuvend.

“Ne në këtë Qeveri, që në vitin e parë, po mbyllim çështje që është dashur të zgjidhen që nga viti 2003. Miratuam ligjin për përfaqësim të drejtë, i cili, pasi të kthehet nga Komisioni i Venecias, do të hyjë në diskutim publik dhe procedurë parlamentare, ku çdo deputet do të mund të japë kontributin e vet që ligji të bëhet më i mirë, më funksional, e kështu me radhë”, shtoi Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër.

Edhe kryeministri Mickoski konfirmoi se nuk bëhet fjalë për mungesë transparence, por se procedura është që së pari ligji të dërgohet në Komisionin e Venecias dhe më pas të jetë i qasshëm për deputetët.

“Fatkeqësisht, opozita shqiptare ka pasur mundësinë për më shumë se 20 vjet të krijojë ligj që do të siguronte përfaqësim të drejtë. Këtë nuk e kanë bërë. Ata krijuan implante të cilat të gjithë e dimë si përfunduan – me abuzime të mëdha, mashtrime etj. Le të presim që të shprehet Komisioni i Venecias, pastaj të gjithë deputetët do ta kenë tekstin e propozim-ligjit dhe do të mund të marrin pjesë me amendamente”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Propozim-ligji dje u prezantua në Qeveri nga zëvendëskryeministrat Izet Mexhiti dhe Arben Fetai, të cilët thanë se metodologjia e re për përfaqësim të drejtë do të bazohet në regjistrimin e fundit të popullsisë dhe për zbatim do të formohet trup koordinues i veçantë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit