26.8 C
Skopje
Tuesday, May 21, 2024

Sekretari Blinken shkon të premten në Izrael në shenjë mbështetje

Kryediplomati amerikan, Antony Blinken, do të vizitojë Izraelin të premten për të shprehur solidaritetin me veprimet ushtarake kundër Hamasit në Gaza, por edhe për të ripohuar nevojën e minimizimit të viktimave civile palestineze, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të mërkurën.

Sekretari Blinken do të qëndrojë edhe në Jordani, vizita e tij e dytë në Lindjen e Mesme në më pak se një muaj. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, tha se zoti Blinken do të takohet me Kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe zyrtarë të tjerë të lartë izraelitë. Ai do të njihet me të dhënat e fundit mbi objektivat ushtarake të Izraelit dhe planet e tij për t’i arritur këto qëllime.

“Ai do të përsërisë mbështetjen amerikane për të drejtën e Izraelit që të vetëmbrohet në përputhje me ligjin ndërkombëtar humanitar. Do të diskutojë mbi nevojat për të marrë të gjitha masat paraprake për minimizimin e viktimave civile, si dhe punën tonë për të ofruar ndihma humanitare”, tha për shtypin zoti Miller.

Në fund të javës së kaluar Izraeli ndërmori një inkursion me forca tokësore në Gazën e sunduar nga Hamasi pas sulmeve ajrore disa javore si hakmarrje për sulmin e papritur të Hamasit, në të cilin Izraeli thotë se u vranë 1400 njerëz, kryesisht civilë dhe 240 të tjerë u morën peng. Ministria e shëndetësisë në Gaza, e cila kontrollohet nga Hamasi, thotë se të paktën 8796 palestinezë janë varë nga sulmet izraelite që nga 7 tetori, përfshirë 3648 fëmijë, shifra që nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

Kryediplomati Blinken do të diskutojë gjithashtu edhe alternativat se kush do ta drejtojë enklavën me popullsi të dendur, nëse dhe kur Hamasi, një grup militant islamik palestinez, të mposhtet. Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha të mërkurën se Uashingtoni nuk beson se Hamasi mund të përfshihet në qeverisjen e Gazës pas përfundimit të luftës.

Gjatë qëndrimit në Jordani, Sekretari Blinken do të theksojë rëndësinë e mbrojtjes së jetëve të civilëve dhe do të përsërisë angazhimin amerikan që palestinezët të mos zhvendosen me forcë nga Gaza, një shqetësim në rritje i botës arabe, tha zëdhënësi Miller. Ai do të vazhdojë bisedimet e udhëhequra nga Egjipti dhe Katari lidhur me lirimin e më shumë se 200 pengjeve të mbajtura nga Hamasi, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit. /VOA

 

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

EVN

Lajmet e fundit