Deputetët e partive opozitare shqiptare do të duhej që të propozojnë amandamentet e tyre për ta përmirësuar eventualisht më tej propozimin e ligjit që qeveria e ka dërguar tashmë në parlament, për Përfaqësim të Drejtë e Adequat, e jo ta kundërshtojnë atë krejtësisht, ka bërë kështu ftesë sot Zëvendës-Kryeministri Bekim Sali.
Sali tha se ky propozim vjen pas 20 vite vonesë nga qeveritë e mëparshme, duke përkujtuar se ligj për përfaqësim të drejt dhe adekuat është dashur të ketë brenda katër viteve të para të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001.
“Konsiderojmë se kemi dhënë një propozim i cili është edhe në suaza të Marrëveshtjes së Ohrit. Ka qenë një obligim politik në të cilin është dashtë të miratohet ky ligj në katër vitet e para të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, dhe me një vonesë diku prej 20 vite ne propozojmë një ligj konkret, që besojmë se do të jetë ligji më i mirë për rrethanat aktuale që do t’i mbrojë interesat etnike edhe të shqiptarëve por edhe të etnike tjera, për arsye se nuk është i fokusuar vetëm në nji etni,” tha ai në konferencë për shtyp për vonesën shumë-vjeçare të qeverive të mëparshme.
Partitë opozitare shqiptare kanë paralajmëruar se janë kundër propozim-ligjit të tashëm dhe se deputetët e tyre nuk do ta përkrahin e do të votojnë kundër.
I pyetur nga gazetarët për qëndrimet e djeshme të kryetarit të Lidhja Shqiptare Ziadin Sela kundër propozim-ligjit, Sali tha se është e drejtë politike e opozitës që të jetë kundër propozim-ligjit në fjalë, por ndërkohë edhe përgjegjësi politike e opozitarëve shqiptarë që përmes amandamenteve të kontribuojnë në përmirësimin e tij sipas mendimeve dhe ideve të tyre aty në kuvend.
“Zoti Sela, se si do të sillet është e drejta e tij politike, por edhe përgjegjësia politike nëse këtij ligji nuk i propozojnë amandamente me të cilat do ta kishin përmirësuar sipas bindjeve të tyre, apo simbas qasjes së tyre drejt ligjit (të propozuar). Kështu që mbetet obligim i deputetëve të japin amandamente dhe simbas asaj të hapet debat publik, për arritjet apo avansimin e ligjit si i tillë,” u përgjegj zëvendës-kryeminstri nga radhët VLEN.
Propozim-ligji për Përfaqësim të Drejtë e Adekuat i hartuar nga qeveria e ruan kriterin e proporcionalitetit të përfaqësimit të popullësisë në punësime në sektorin publik, e cila ishte brenga kryesore e shqiptarëve të vendit nëse versioni i ri do të dëmtonte që në ligj përfaqësimin ekulibrues për krejt popujt dhe bashkësitë etnike të vendit.
Neni 2 është ai i cili flet për proporcionalitet, dhe në brendi thuhet se përfaqësimi në punësimet në sektorin publik do të duhej të pasqyrojë “përafërsisht” gjendjen e pjesmarrjes në popullësi, pra sipas regjistrimit të fundit të popullësisë.
“Përfaqësimi adekuat është përfaqësimi i qytetarëve që u përkasin të gjitha komuniteteve në organet e pushtetit shtetëror dhe në institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet, i cili përafërsisht pasqyron pjesëmarrjen e tyre në popullsi, në përputhje me të dhënat e regjistrimit të fundit të popullsisë, si bazë referente për planifikim,” thotë Neni 2, paragrafi i parë i tij.
Propozim-ligji tashmë ndodhet tek Komisioni parlamentar për Sistem Politik dhe Marrëdhenie Ndërmjet Bashkësive, i cili udhëhiqet nga deputeti i VLEN Adnan Azizi, por ende nuk është caktuar data se kur do të ketë mbledhje të këtij komisioni për shqyrtim të tij nga deputetët anëtarë të tij. / Zhurnal.mk





