Nga MPB njoftojnë se më 27 korrik ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ndaj tre personave të dyshuar për vepra penale që lidhen me ryshfet dhe ndikim të kundërligjshëm. Sipas njoftimit të MPB-së, të kallëzuar janë A.T. (27) nga Manastiri për veprën penale “dhënie shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm”, S.Ç. (56) nga Gostivari për “marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm” dhe S.E. (63) nga Shkupi për “marrje ryshfeti”.
Gjatë bastisjeve policore te personat e dytë dhe të tretë të kallëzuar janë gjetur dhe konfiskuar 65.280 euro, 29.840 franga zvicerane dhe 161.500 denarë.
Sipas MPB-së, A.T., si studente në Fakultetin e Stomatologjisë, me qëllim marrjen e certifikatës për provimin profesional për punonjës shëndetësorë me arsim të lartë në fushën e stomatologjisë, në dhjetor të vitit 2025, pas disa komunikimeve përmes platformës Viber, i ka dhënë S.Ç., profesor në Fakultetin e Stomatologjisë dhe ish-nënkryetar i Odës së Stomatologëve, një shumë parash të transferuar në llogarinë e tij bankare.
Paratë, sipas MPB-së, i janë dhënë S.Ç. me qëllim që ai të ndikonte te S.E., në cilësinë e kryetarit të Komisionit për dhënien e provimit profesional për punonjës shëndetësorë me arsim të lartë në fushën e stomatologjisë pranë Ministrisë së Shëndetësisë. MPB-ja thotë se A.T. ka marrë pjesë në sesionin e provimeve të dhjetorit, më 17.12.2025, para komisionit të formuar dhe, pa pasur njohuritë e nevojshme, ka siguruar certifikatën për provimin e kaluar profesional.






