Dy punonjës të Spitalit të Përgjithshëm të Pejës janë përleshur fizikisht të hënën, ka konfirmuar Policia e Kosovës, derisa rasti është iniciuar si lëndim i lehtë trupor.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka thënë se incidenti ka ndodhur dje rreth orës 09:30, ku pas intervistimit të të dyshuarve, rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.
Spitali i Pejës nëpërmjet një reagimi, ka thënë se shpreh keqardhjen për rastin, duke theksuar se është në proces të mbledhjes së të dhënave për ndodhinë.
“Dje ky proces nuk ka mundur të kryhet, sepse dy të punësuarit tanë, të përfshirët në këtë rast, kanë qenë në organet e hetuesisë dhe ne nuk i kemi ende të gjitha informacionet e duhura”, thuhet në reagimin e Spitalit.
Ky institucion ka thënë se pas mbledhjes së informacioneve, rasti do të trajtohet sipas akteve normative.