Komisioni i Kuvendit për Financim dhe Buxhet sot ditën e gjashtë me rend debaton për amendamentet e Propozim-buxhetit për vitin 2026. Gjatë debatit të sotëm u shqyrtuan tetë amendamente, por nuk morën mbështetje, ndërsa kryesisht ishin të lidhura me fushën e politikës sociale, raporton MIA.
U shqyrtuan pesë amendamente, të dorëzura nga LSDM, të cilat mes tjerash kishin të bëjnë me sigurimin e mjeteve të investimeve kapitale në pjesën e mbrojtjes sociale, përkatësisht ndërtimin e shtëpive të pleqve dhe qendrave ditore, objekte nga fusha e mbrojtjes sociale, për transfere ndaj shoqatave për mbrojtje, për rritjen e kompensimit mujor për vitin 2026 për 10 për qind të të drejtave nga mbrojtja sociale sipas Ligjit për mbrojtje sociale dhe Ligjit për siguri sociale të të moshuarve, dhe mjete të destinuara për objektet e filluara infrastrukturore në njësitë e vetëqeverisjes lokale për vitin 2025, por edhe për fillimin e projekteve të reja në vitin 2026 në pjesën e mbrojtjes fëmijërore.
Amendamentet e dorëzuara nga deputeti i Të Majtës, Rexhep Ismaili, i referohen sigurimit të mjeteve për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e objekteve për banim të të moshuarve, rritjen e normës së transfereve në Fondin për Sigurim Shëndetësor me qëllim që pastaj përmes zgjidhjes ligjore të rritet periudha e pushimit të lindjes nga nëntë në 12 muaj, si dhe rritja e mjeteve për shtesat e pagesës së kujdesit për një person tjetër.
Debati i amendamenteve duhet të vazhdojë pasdite pas përfundimit të takimit të punës me temën “Dhuna ndaj grave në politikë dhe zgjedhjet Linja “Qëndro i sigurt” zgjedhjet lokale 2025 – sfidat dhe hapat e mëtejshëm”, e cila është në organizim të Klubit të deputetëve në bashkëpunim me Fondin Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES) Zyra Shkup dhe Qendra për internet, zhvillim dhe menaxhim të mirë.
Deri më tani, u pranua pjesërisht amendamenti i LSDM-së për rritjen e rrogave në Agjencinë Teknike Operative (ATO).
Me propozim-buxhetin për vitin 2026, rritja ekonomike parashikohet në 3.8 përqind, inflacioni në 2,5 dhe deficiti buxhetor në 3,5 përqind të PBB-së. Të ardhurat totale parashikohen në 374,7 miliardë denarë, shpenzimet totale në 413,9 miliardë denarë, kurse investimet kapitale në 40,5 miliardë denarë (650 milionë euro).
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, më 4 nëntor njoftoi se projektbuxheti për vitin 2026 do të paraqitet në seancë plenare më 9 dhjetor. Më 28 tetor, propozim-buxheti për vitin 2026-të u miratua nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Ky plan u propozua nga ministrja e financave, Gordana Dimitrieska – Koçoska.





