Risteski dhe Bytyqi në Sofje, fokus te rajoni dhe inovacionet

Delegacioni i Kuvendit, i përbërë nga deputetët Petar Risteski dhe Fatmir Bytyqi, mori pjesë në punimet e mbledhjeve të Komitetit të Përhershëm dhe Komisionit të Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energjetikë të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (AP e PBEJL) që u mbajtë dje në Sofje, Bullgari. Mbledhjet mbahen në kuadër të Kryesimit Bullgar të PBEJL 2025-2026.

Të dyja mbledhjet u kryesuan nga Ilijana Zekova, deputete e Parlamentit të Bullgarisë. Deputetëve iu drejtua Ivajlo Jordanov nga Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, i cili prezantoi prioritetet e kryesimit bullgar të PBEJL.

Tema e Komitetit të përhershëm ishte “Forcimi i rolit të Byrosë / Treshes” në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e punës së kryesimeve dhe monitorimi i zbatimit të vendimeve të AP-së së PBEJL-së.

“Deputeti Petar Risteski theksoi në diskutimin e tij se dialogu dhe bashkëpunimi nuk janë vetëm të nevojshëm, por edhe thelbësorë për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit dhe një të ardhme të përbashkët evropiane. AP-ja e PBEJL-së ka rol unik në këtë drejtim, pasi sjell zërin e të gjithë qytetarëve drejtpërdrejt në kuadrin e bashkëpunimit rajonal. Prandaj, është e nevojshme të forcohet mënyra se si deputetët nga parlamente të ndryshme kombëtare punojnë së bashku. Ai dha mbështetje të plotë për forcimin e rolit të Byrosë / Treshes, si mekanizma për të siguruar vazhdimësinë në punën e kryesimeve dhe për një monitorim më të mirë të vendimeve që miratohen. Kjo është arsyeja pse Byroja, e përbërë nga kryesimet e mëparshme, aktuale dhe të ardhshme, duhet të luajë rol më të theksuar dhe aktiv në mënyrë që të sigurojë vazhdimësi më të madhe, të ruajë kujtesën institucionale dhe të sigurojë një drejtim të qëndrueshëm strategjik të Asamblesë Parlamentare”, thuhet në kumtesën e Kuvendit.

Deputeti Fatmir Bytyqi mori pjesë në punimet e Komisionit të Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energjetikë. Tema e mbledhjes ishte “Dimensioni rajonal i politikës së startapeve, kërkimit dhe zhvillimit dhe inovacioneve në Evropën Juglindore”.

Deputeti Fatmir Bytyqi theksoi në diskutimin e tij se inovacionet dhe sipërmarrësia nuk janë më komponentë opsionalë të politikës ekonomike, por nxitës thelbësorë të rritjes së qëndrueshme, konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë në vendet.

“Në një ekonomi globale që ndryshon me shpejtësi, rajoni duhet të shkojë përtej modeleve tradicionale dhe të miratojë një rrugë zhvillimi të bazuar në njohuri dhe të udhëhequr nga inovacionet. Ai theksoi se në vend po bëhen hapa të rëndësishëm në mbështetjen e ekosistemit të startapeve, promovimin e transformimit digjital dhe inkurajimin e kërkimit dhe zhvillimit. Megjithatë, përpjekjet kombëtare vetëm nga vendet nuk janë të mjaftueshme, sfida të tilla si tregjet e kufizuara, largimi i intelektualëve, qasja në financat dhe fragmentimi, të cilat janë të përbashkëta për të gjithë Evropën Juglindore, kërkojnë një qasje të fortë rajonale”, tha Bytyqi.

Ai theksoi se dimensioni rajonal i politikave të startapeve dhe inovacioneve mund të krijojë mundësi që asnjë vend nuk mund t’i arrijë i vetëm dhe se është e nevojshme të lidhet tregu rajonal, të harmonizohen kornizat rregullatore dhe të lehtësohet bashkëpunimi tejkufitar, me qëllim ndërtimin e një mjedisi më tërheqës për sipërmarrësit, investitorët dhe studiuesit. Kjo do t’u mundësonte startapeve nga rajoni të zgjerohen dhe të konkurrojnë më lehtë në një skenë më të gjerë evropiane dhe globale.

Asambleja Parlamentare e PBEJL-së, e cila përfshin parlamentet e vendeve të Evropës Juglindore: Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Rumania, Sllovenia, Serbia, Turqia, Kroacia dhe Mali i Zi, i bazon qëllimet dhe detyrat e saj në parimet e pronësisë rajonale dhe integrimit evropian. Asambleja Parlamentare luan rol të rëndësishëm në promovimin e pjesëmarrjes parlamentare dhe lehtësimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërparlamentar në rajon, si dhe në inkurajimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit