Rihapja e xhamisë së Et’hem Beut, 35 vite më parë, shënoi një nga momentet më të rëndësishme të historisë moderne të Shqipërisë, duke përfaqësuar fundin zyrtar të ateizmit komunist dhe rikthimin e lirisë së besimit fetar. Ky akt simbolik nuk ishte vetëm hapja e një objekti kulti, por një ngjarje që riktheu dinjitetin shpirtëror dhe të drejtën themelore të besimit për mijëra qytetarë.
Me këtë rast, Fondacioni ALSAR, në bashkëpunim me Shoqatën “Tirana”, organizon një simpozium përkujtimor kushtuar 35-vjetorit të rihapjes së xhamisë së Et’hem Beut, një monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore dhe fetare shqiptare.



