Real Madridi vazhdon të ndjekë nga afër zhvillimin e talentit të Bregut të Fildishtë, Yan Diomande, i cili është shndërruar në një nga zbulimet më të mëdha të Kupës së Botës 2026.
Sipas raportimeve të “OK Diario”, gjiganti spanjoll po vëzhgon me kujdes sulmuesin 19-vjeçar, i cili ka impresionuar me paraqitjet e tij me kombëtaren e Bregut të Fildishtë.
Diomande aktualisht aktivizohet te RB Leipzig, klub që e transferoi në verën e vitit 2025 nga Leganesi për 20 milionë euro. Zhvillimi i tij ka qenë aq i shpejtë sa klubi gjerman raportohet se ka refuzuar tashmë një ofertë prej 100 milionë eurosh nga Liverpooli.
Raporti thekson se Juni Calafat, shefi i skautimit ndërkombëtar të Real Madridit, ishte i pranishëm në ndeshjen debutuese të Bregut të Fildishtë kundër Ekuadorit për të ndjekur disa lojtarë, mes tyre edhe Diomanden.
Sulmuesi i ri ishte ndër lojtarët më të spikatur në fushë dhe thuhet se ka lënë përshtypje shumë pozitive te përfaqësuesit e klubit madrilen.
Diomande konsiderohet si një nga talentet më premtues në futbollin evropian. Shpejtësia e tij e jashtëzakonshme, aftësia në driblime dhe potenciali i madh kanë bërë që ai të krahasohet me disa nga yjet më të njohur të futbollit evropian.
Për momentin nuk ka negociata konkrete mes Real Madridit dhe RB Leipzigut, por interesimi i klubit spanjoll mbetet aktiv. Ndërkohë, disa klube elitare të Evropës po e ndjekin me vëmendje situatën e sulmuesit, i cili po vazhdon të rrisë vlerën e tij me paraqitjet në Botëror.
Nëse vazhdon me të njëjtin ritëm, Diomande mund të shndërrohet në një nga emrat më të kërkuar të merkatos në vitet e ardhshme./Telegrafi/





