Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë qëndrimit të djeshëm në Maqedoninë e Veriut, krahas takimeve me krerët e VLEN-it, kryeministrin Mickoski dhe me liderin e BDI-së, ka zhvilluar takim edhe me kryetarin e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Venko Filipçe.
Takimi është zhvilluar në një atmosferë miqësore, ndërsa në fotografinë e publikuar dy politikanët shihen në një takim të përbashkët në Konsullatën shqiptare në Manastir, me flamurin shqiptar dhe atë të NATO-s në sfond.
Rama dje qëndroi në Maqedoninë e Veriut me rastin e përurimit të sistemit të përbashkët të kontrollit kufitar “One Stop Shop” në Qafë Thanë, ku mori pjesë së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe përfaqësues të tjerë qeveritarë.
Takimi me Filipçen ishte pjesë e kontakteve politike të Ramës gjatë kësaj vizite, ndërsa deri tani nuk janë bërë të ditura hollësi për temat e diskutuara.








